A rrezikon humbjen 3-0 në tavolinë? Cesena fitoi në fushë, por ja se çfarë rrezikohet nga grushti i babait të Kristian Shpendit që hyri në fushë

Kristian Shpendi po shkëlqen në Serinë C me fanellën e Çezenës. Aktualisht udhëheq listën e golashënuesëve dhe në verë pritet të ndjekë rrugën e binjakut të tij, për të siguruar një kontratë në nivelin më të lartë në Itali. Por mbrëmja e djeshme nuk ka qenë e këndshme për të. Shpendi u dëmtua në minutat e fundit të sfidës kundër Olbias nga portieri i këtyre të fundit. Ky lëndim i Kristianit ka nervozuar së tepërmi babain e tij, i cili nuk ka arritur t’i kontrollojë dot nervat. Pas përfundimit të ndeshjes, i ati i Shpendit ka hyrë në fushë dhe ka goditur me grusht portierin e Olbias.

Por çfarë dënimesh rrezikohen nga kjo ngjarje? Cesena pritet të dënohet me ndeshje pa tifozë, nesër do të mësohet qartë se në cilat ndeshje kjo skuadër do të jetë pa mbështetjen e tifozëve. Gjithashtu do të ketë një gjobë të majme për Cesenan që nuk përmbushi dot sigurinë e ndeshjes. Për fatin e mirë, sipas raportimit të mediave italiane, Cesena nuk ka rrezik për ta humbur ndeshjen 0-3 në tavolinë sepse në momentin kur babai i Shpendit hyri në fushë, ndeshja kishte përfunduar. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një dëm i madh për Cesenan që e fitoi ndeshjen 1-0 në fushë dhe po kryeson kampionatin në Serinë C. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *