“Shkova te Empoli vetëm për të kapur Kombëtaren”! Etrit Berisha: I kam harruar fare pritjet me Napolin, e kam mendjen te Moldavia

Kombëtarja shqiptare do të luajë të premten e 17 nëntorit ‘finalen’ e parë të këtij muaji ndaj Moldavisë në transfertë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Dy futbollistët e Kombëtares, Etrit Berisha dhe Elseid Hysaj dolën sot në konferencën zyrtare për media, ku iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve lidhur me këto ndeshje. Fokusi kryesor është Moldavia deklaruan kuqezinjtë.

Elseid Hysaj theksoi se dy sfidat e fundit janë si finale për Kombëtaren. Përsa i përket Moldavisë, mbrojtësi kuqezi vlerësoi ekipin moldav si një kundërshtar shumë të fortë, pasi ka pësuar vetëm një humbje. Më tej Hysaj tha se kjo fushatë kualifikuese ka qenë fantastike për kuqezinjtë dhe vlerësoi repartin e prapavijës.

Synimi në dy sfidat e fundit, 1 pikë apo më shumë? – Normal që janë dy finale për ne,  por duhet të mendojmë për Moldavinë. Është një ndeshje e rëndësishme dhe janë në skuadër shumë e fortë për momentin. Ne duhet të shkojmë atje për të mos humbur, sepse edhe një pikë mund të na nevojitet dhe jemi të kualifikuar, por do ishte bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve si Kombëtare.

Sfida me Moldavinë, a ngjason me Armeninë? – Kanë lidhje, por siç e dimë si ndeshje duket më e thjeshtë sepse na duhet vetëm një pike, por të themi të drejtën është një ndeshje me peshë, sepse në qoftë se fitojmë do të jemi të kualifikuar dhe mund të kthehemi me një gëzim të madh në Shqipëri ndërsa po humbëm do jetë një presion më shumë për ne dhe do të kthehemi në Shqipëri për të luajtur ndeshjen e fundit. Të gjithë ne jemi me një mendim për të shkuar të përgatitur dhe të fitojmë këtë ndeshjen, sepse duhet të kthemi me gëzim dhe ta shijojmë këtë sfidë.

Kritikat në drejtimin tuaj? – Kritika mund të kem sepse gjithë jetën kështu kam dëgjuar, por nuk është problem sepse  rëndësi kanë rezultatet dhe ku jemi. Kemi mundësi të shkojmë në Europian dhe të shkojmë në Gjermani kjo është më e rëndësishme, pastaj kritikat janë pjesë e lojës mund të vijnë  dhe do të jenë aty gjithmonë.

Shumë pranë kualifikimit. – Është një ndjesi e bukur kur kujtojmë ato momente të 2016, nuk mund t’i harrosh. Shpresoj që t’i shijojnë edhe djemtë e tjerë dhe ne bashkë me shokun tim të vjetër Berishën. Është një kënaqësi, duhet të shkojmë atje me vëmendjen e duhur dhe të vijmë me fitore në Shqipëri.

Në prag të dy sfidave jeni më të motivuar apo më shumë në presion? – Ne duhet të jemi të rritur në mentalitet, sepse nuk duhet ta shohim si presion. Duhet të jetë një mundësi për ne duhet ta shfrytëzojmë,  e dimë që do të jetë e vështirë, por ne punojmë për këto ndeshje dhe duhet të jemi gati.

Mbrojtja më e mirë që ka pasur Kombëtarja ? – Ne e kemi pasur gjithmonë mbrojtjen e fortë dhe në Europianin e kaluar. Por normal statistikat flasin vetë dhe nëse statistikat thonë që kjo është mbrojtja më e mirë dhe unë besoj të njëjtën gjë, është mbrotja më e mirë që kemi pasur ndonjëherë në Kombëtare.

Çfarë vlerësoni më tepër te Moldavia? – Është një skuadër që e kemi parë të gjithë, nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Jemi të qartë që janë një skuadër që kundërsulmojnë dhe luajnë me kundërsulme por ne po përgatitemi për një ndeshje të tillë, ato do qëndrojnë në mbrojtje dhe ne duhet t’i gjejmë vetë mundësitë tona për t’i sulmuar dhe të jemi të kujdesshëm në mbrojtje në rastet kur ata kundërsulmojnë.

Një notë për sfidat kualifikuese? – Notën do ta japë pas ndeshjes me Moldavinë ose pas ndeshjes me Ishujt Faroe. Do të duhet të presim dhe pastaj do flasim prap bashkë dhe do ju jap notën.

Portieri Etrit Berisha deklaroi se skuadra duhet të jetë e fokusuar maksimalisht në ndeshjen me Moldavinë, ndërsa u shpreh se brenda grupit të kuqezinjve ka entuziazëm, por jo eufori. Moldavia është një kundërshtar me shumë kualitet dhe do të luajë fort tha ndër të tjera gardiani kuqezi, por nga ana tjetër, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe kuqezinjtë në fushën e lojës.

Zgjedhje e parë për trajnerin? – Jemi në një moment shumë delikat. Jemi shumë të fokusuar për këtë ndeshje. Një nga arsyet se pse kam zgjedhur që të shkoj tek Empoli ka qenë se dua të jem i gatshëm dhe në një formë shumë të mirë. Kjo po ndodh fatmirësisht. Për gjëra të tjera, duhet t’ia lëmë trajnerit.

A ju bën përshtypje Moldavia pas pritjeve që bëtë në ndeshjen ndaj Napolit? – Sigurisht që po. Ndeshjen me Napolin e kam harruar dhe jam i fokusuar te kjo ndeshje me Moldavinë. E kemi entuziazmin dhe s’duhet ta humbasim sepse është e vështirë për t’u krijuar. Duhet të shkojmë në Moldavi, me të gjithë respektin që kemi për ta. Por ne do të bëjmë lojën tonë.

Moldavia është mposhtur vetëm nga ne. Sa ndryshon kjo sfidë nga ajo e Tiranës? – Është një sfidë e re. Çdo ndeshje ka vështirësitë e saj. Ne i dimë kualitetet e tyre dhe kualitetet tona. Duhet të hyjmë sa më shumë të motivuar, që të kryejmë punë sa më parë të jetë e mundur.

A ka eufori në skuadër? – Nuk mund të them që ka eufori, por ka entuziazëm. Këtë duhet ta mbajmë dhe më tutje. Kemi qenë në vështirësi më herët, kemi derdhur djersë e mund për të arritur deri këtu. Jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe pas kësaj ndeshje duhet ta menaxhojmë situatën sa më mirë dhe t’i bëjmë gjërat si duhet. Nëse kemi mundësi që të kualifikohemi në Europian, duhet të shkojmë dhe t’i bëjmë gjërat dhe më mirë se ç’i kemi bërë më herët.

Presion te ju apo Moldavia? – Nuk jemi në pozitën e Moldavisë, por mundohem që ta kuptoj situatën e tyre. Çdo ekip që është përballur me ne, i kemi vendosur në vështirësi dhe do të mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë. Për ne në letër, mund të jetë diçka më e lehtë, por ata nuk kanë asgjë për të humbur. Do futen në fushë për fitore dhe të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne. Nuk duhet të bëjmë shumë kalkulime. Në ndeshjen tjetër, duhet të shkojmë gjithashtu për fitore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *