Kursi i fizioterapisë / Doktor Brataj shpjegon rëndësinë vitale të ndihmës së shpejtë në rastet e arrestit kardio-respirator

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar kursin e radhës për fizioterapistë e angazhuar në botën e futbollit nën kujdesin e Departamentit të Mjekësisë Sportive dhe doktorëve të Kombëtares, Gianluca Steaina dhe Ilvi Begollit. Kursi do të zgjasë për dy ditë, ndërkohë që tema këtë herë ishte dhënia e ndihmës së parë (urgjenca ) BLSD dhe rianimimi Kardio-Pulmonar dhe ky program është i akredituar nga ASCKSHSH (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror).

Në ditën e parë të kursit ishte i ftuar në rolin e lektorit Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, i cili u shpjegoi pjesëmarrësve teknikat e ndihmës së shpejtë dhe si trajtimin në një kohë sa më të shpejtë të problematikave shëndetësore që mund të ndodhin gjatë aktiviteteve sportive. Duke folur për Fshf.org, doktor Brataj shpjegoi ndërhyrja e duhur nga e ana e mjekut sportiv në rastet e arresteve kardio-respiratore, duke respektuar protokollet në rastet e urgjencës, mund të shpëtojë jetë njerëzish

“Në ditën e parë të trajnimit u diskutua për ndihmën e parë në situata të ndryshme në të cilat ne mund të ndodhemi me personat që nuk janë në arrest kardio-respirator, duke filluar nga gjendja e lipotimisë, sinkopi, insuficienca respiratore, infarkti, dhimbjet e gjoksit, hemoragjitë, bllokimi i tyre. Ndërsa në ditën e dytë u diskutua për reanimacionit kardio-pulmonar ku ne duhet të dimë në mënyrë sa më të shpejtë, të ndjekim një sekuencë të rregullt me qëllim që të mbajmë parametrat jetësorë e të rikthejmë personin në jetë. Sipas statistikave në vdekjen e papritur kemi një person në 1000 veta që i bie në 3 milionë banorë humbin jetën në mënyrë të papritur 3 mijë veta që është një problem shumë i madh, nga të cilët 85% të tyre, rreth 2400 persona kanë nevojë për masazh kardiak dhe për goditjen elektrike, që i rikthen në jetë ata.

Diskutuam për dhënien e ndihmës së parë, bërjes së masazhit kardiak, si bëhet frekuenca, thellësia, moshat e ndryshme, kush janë veçoritë, përdorimi i defribilatorit, ventilimi i pacientit dhe sekuenca pastaj me zinxhirin e mbijetesës se si veprohet nga nisja deri në fund të sekuencës për garantimin e jetës së qytetarëve”, tha Skënder Brataj, duke shtuar se përgatitja e fizioterapistëve për t’u përballuar me raste të emergjencave është vitale, teksa përmendi edhe rastin e danezit Eriksen, i cili pësoi një arrest kardiak në finalet e Europianit të fundit dhe mundi të shpëtojë vetëm falë ndërhyrjes në kohë dhe me standarde të stafit mjekësor.

“Është shumë e rëndësishme për personelin mjekësor të dijë të japë ndihmën e parë dhe të dijë të bëjë masazhin kardiak. Aq më shumë fizioterapistët të cilët kanë të bëjnë me të gjithë llojet e sporteve në përgjithësi dhe siç e kemi parë edhe në sport ka pasur raste të arresti kardiak, siç ishte ai i danezit Eriksen në vitin 2021, që tregoi se ndërhyrja e shpejtë, me standarde, në kohë, me masazhe dhe defribilator i shpëtoi jetën futbollistit, që është gjallë edhe sot e kësaj dite. Mund të ketë episode të ndryshme të dhënies së ndihmës së parë, dhe të gjithë këto sportistë që mund të kenë kontrolle të ndryshme herë pas herë dhe dëmtime të ndryshme, që mund të jenë subjekt i dhënies së ndihmës së parë, por edhe subjekt të arrestit kardiak. Fizioterapistët mund të ndeshen me këto raste dhe është e domosdoshme njohuria që mund të marrin sot dhe zotërimi i certifikatës që i bënë ato të jenë të përgatitur dhe të kenë të drejtën e bërjes së këtyre teknikave”, – tha ndër të tjera Drejtori i Urgjencës Kombëtare.

Ky është edicioni i dyti i kursit të fizioterapisë që trajton ndihmën e shpejtë, ndërsa pjesëmarrësit, të cilët janë fizioterapistë dhe mjekë, pajisen me një licencë që ka një vlefshmëri dyvjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *