Dinamo ka marrë sot humbjen e dytë në kampionat. Këtë herë dinamovitët u mposhtën me shifrat 1-0 nga Skënderbeu në transfertë. Di Biaxho tha ndër të tjera për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV” se lojtarët e tij ishin më të fortët në botë, duke lënë të kuptohet se është i kënaqur me grupin që ka. Trajneri i Dinamos është kritikuar nga Lirim Zalla në studion e emisionit “Skaner Superiore“ në “MCN TV“. Zalla është shprehur se lojtarët e Dinamos kanë qenë të shëmtuar mbrëmjen e sotme, në të kundërt nga ajo çfarë thotë Di Biaxho.
“Di Biaxho tregoi që nuk është bërë trajner i madh. Kur kam intervistuar Bobi Robsonin, një nga njerëzit më të zgjuar që kam intervistuar, më ka thënë: ‘Në Angli ka shumë lojtarë më të mirë se këta që kam unë, por këta që unë kam bëjnë atë që kam unë në kokë’. Nuk mund të thuash që ata ishin lojtarët më të mirë në botë. Ata ishin shumë të shëmtuar sot. Po të vazhdojë me kënaqësitë e veta ai, kush e di se ku do të shkojë. Ka dy ndeshje, dy humbje. Uroj të mos jetë i kënaqur ai, sepse po qe i kënaqur me dy humbje…”, ka thënë Lirim Zalla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/