Partizani nuk ia ka dalë që të kalojë dot në grupet e Conference League. Për fat të keq, ekipi shqiptar ka barazuar me shifrat 1-1 ndaj Astanës, duke e lënë rivalin që të kualifikohet në fazën finale pasi skuadra nga Kazakistani kishte fituar 1-0 në takimin e parë.
Menjëherë pas ndeshjes, trajneri i Astanës, Babayan, ka treguar emocionet. “Ishte një ndeshje tmerrësisht e vështirë, me shumë presion. Më veçanërisht në 25 minutat e para e kemi humbur kontrollin, po i lejonim kundërshtarit shumë. Dhe ne kishim dy mundësi të arta për të shënuar, por në pjesën e parë Partizani ishte më mirë se ne dhe e meritoi kryesimin.
Në pjesën e dytë, ndeshja ndryshoi. Ishte shumë e rëndësishme fakti që të shënonim një gol shpejt. Falë Zotit që ishim në gjendje ta përfundonim këtë ndeshje me sukses. Kjo fitore shkon për të gjithë Kazakistanin, ishte ndoshta ndeshja më e rëndësishme e vitit tonë”, tha Babayan. /Sport Ekspres/