Të mëdhenj në buxhet, por jo në rezultate! Partizani mund të shkruajë historinë kundër Astanës

Partizani është vetëm dy ndeshje larg historisë. Të kuqtë kanë arritur për herë të parë në fazën “play off” të një kompeticioni të UEFA-s dhe tashmë Astana i ndan nga grupet e Ligës së Konferencës. Klubi kazak vjen si pretendent në këtë raund, duke u nisur nga buxheti i tyre dhe arritjet në vitet e fundit në Europë. Por futbolli jo gjithmonë fitohet nga paratë.

Kampionët e Kazakistanit janë padyshim një rival i fortë për Partizanin, por jo i pamundur. Kryeqytetasit kanë shanset e tyre në këto dy përballje dhe rezultatet e fundit të Astanës e mbështesin këtë tezë. Kazakët e nisën rrugëtimin e tyre në Ligën e Kampionëve, ku në ndryshim nga “demat e kuq”, arritën të kalonin në turin e dytë.

Megjithatë kundërshtar patën Dinamon e Tbilisit, me të cilët barazuan 1-1 në ballafaqimin e parë dhe fituan 1-2 në të dytin. Një rival në një nivel jo të lartë, teksa pak vite më parë u eliminua edhe nga Tirana, ndërsa këtë edicion, një skuadër modeste si Hamruni e Maltës i ndërpreu rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Ndërkohë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve Astana u përball me Dinamon e Zagrebit, që fitoi me rezultatin e përgjithshëm të të dyja ndeshjeve 6-0.

Pas këtij eliminimi kazakët vijuan rrugëtimin në Ligën e Europës, ku kundërshtar gjetën Ludogoretsin. Kampionët e Kazakistanit fituan ndeshjen e parë me rezultatin e ngushtë 2-1, por u mposhtën në ndeshjen e kthimit me goleadë 5-1. Rezultate që të kujtojnë edhe përballjen mes Ballkanit dhe Ludogoretsit, që pati pak a shumë të njëjtën histori. Ekipi i Ilir Dajës fitoi sfidën e parë 2-0, por u mposht në të dytën 4-0.

Pas këtij eliminimi të dytë, rrugëtimi për Astanën vijon në “play off” të Ligës së Konferencës dhe përballë do të kenë pikërisht Partizanin. Në tërësi, skuadra kazake numëron 6 ndeshje në Europë, ndër të cilat vetëm dy prej tyre i ka fituar. Gjithashtu golavarazhi i saj është në shifrat e 6 golave të shënuar dhe 14 golave të pësuar. Një bilanc negativ për verdheblutë, krahasuar me 5 golat e pësuar dhe 9 të shënuar për Partizanin në Europë. Gjithashtu, të kuqtë numërojnë vetëm një humbje në këto kualifikuese.

Situata nuk paraqitet e mirë as në kampionat për Astanën. Fitorja e tyre e fundit në elitën e futbollit kazak daton në 2 korrik kundër Kaspij Aktaut, që momentalisht renditet i fundit në tabelën e klasifikimit. Të gjithë këto fakte të mbështetur në statistika janë një motivim mjaft i mirë për Partizanin, që tashmë mund të besojë në fuqinë e tij për të kaluar edhe këtë pengesë të fundit që qendron mes tyre dhe grupeve të Ligës së Konferencës./Halit Delibashi-Spoet Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *