Prezantimi i projektit për përfaqësueset rajonale, Drejtoria Teknike e FSHF mbledh shoqatat rajonale

Në këtë sezon të ri futbollistik do të ketë një riorganizim të përfaqësuesve rajonale nga Federata Shqiptare e Futbollit që synon të nxisë produktet cilësore nga ato që janë fidanishtet e ekipeve kombëtare të moshave.

Në fakt, puna për projektin e ri për përfaqësueset rajonale ka nisur prej disa muajsh me një risi të rëndësishme që është përzgjedhja e drejtorëve teknikë për çdo zonë rajonale dhe prezantimi i objektivave apo edhe përzgjedhjen e trajnerëve që do të jenë të angazhuar me ekipet rajonale të moshave në të gjitha shoqatat rajonale.

I gjithë ky proces po koordinohet nga Drejtoria Teknike e FSHF-së në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Ekipeve Kombëtare dhe Departamentin e Futbollit të Fëmijëve.

Projekti pritet që të ketë një impakt të rëndësishëm në rritjen e cilësive të futbollistëve shqiptarë që në bazë dhe formimi i talenteve të cilët do të jenë pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.

Pikërisht nga shoqatat rajonale dhe nga seleksionimet FSHF do të ndërtojë ekipet kombëtare të së nesërmes dhe për këtë arsye ka vendosur të fokusojë të gjitha energjitë në këtë projekt që ka vlera të mëdha.

Ndërkaq, më datën 22 gusht në ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe në kujdesin e Drejtorisë Teknike do të organizohet edhe takimi i pare i sezonit të ri me stafin e përfaqësueseve rajonale dhe shoqatave rajonale për të prezantuar programin vjetor qe starton ne muajin shtator. Në këtë takim do të marrin pjesë drejtuesit e çdo shoqate rajonale dhe të gjithë trajnerët e secilës grup-moshë së bashku me drejtorët teknikë.

Pjesë e këtij riorganizimi është edhe projekti “Hap pas hapi” e që do të vihet për herë të parë në zbatim nga FSHF sipas një programi të koordinuar në detaje me Departamentin e Ekipeve Kombëtare dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave U-15, U-17 dhe U-19.

Ky projekt që do të angazhojë të gjithë lojtarët të cilët jetojnë në Shqipëri e që janë pjesë e ekipeve tona kombëtare të këtyre moshave, teksa dy ditë në javë lojtarët do të grumbullohen në Shtëpinë e Futbollit me trajnerët dhe do të punojnë në aspektin fizik e teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual.

Në këto stazhe të përjavshme stërvitore do të marrin pjesë edhe anëtarë të stafit të përgatitësve atletikë të Kombëtares si edhe përfaqësues nga sektori i zhvillimit të portierëve në FSHF.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *