Nga Xhevdet Zekaj
Pas eksperiencës së parë europiane, luajtjes së turit të parë eliminator të “Conference League”, ku u eliminua pa hunmbje, por nga penalltitë, Egnatia e ka kthyer vështrimin nga sezoni i ri futbollistik. Përtej dhimbjes dhe hidhërimit që vjen natyrshëm nga skualifikimi i pafat, vlen kjo përvoje e re europiane.
Debutimi europian duhet konsideruar dinjitoz, me dy ndeshje të luajtura mirë, me siguri me mësime të nxjerra nga stafi teknik sidomos për aspektin mbrojtës të kthimit me Ararat Armenia. Skuadra rrogozhinase ka vijuar në mënyrë intensive stërvitjet, me nga dy seanca në ditë, plot seriozitet.
Trajneri Tetova po punon veçanërisht në aspektin tekniko-taktik, të kohezionit të grupit, të ingranimit si duhet të përforcimeve të kësaj vere. Stafi teknik po mundohet të largojë edhe pasojat psikologjike të eliminimit nga Kupat e Europës, i cili për nga mënyra se si erdhi i theu jo pak zemrat e krejt lojtarëve, njësoj të të gjithë fansave rrogozhinas. Të gjithë e kanë të qartë se Egnatian e pret një sezon i vështirë dhe tepër inmpenjativ, nisur nga fakti se është fituesja e Kupës së Shqipërisë në fuqi.
Pra, do ta vlerësojnë si një favorit kryesor për trofe, ndaj duhen marrë mirë masat në të gjitha drejtimet. Morali duhet të jetë i lartë, bashkëpunimi si grup në shkallën sipërore, ana psikologjike kurrsesi prej inferiori, qasja taktike me disa plane, A, B dhe pse jo më tej, për të mos u befasuar as nga kundërshtarë që luajnë tërësisht në mbrojtje dhe “parkojnë autobusin” para portës së vet.
Me objektivat që ka Egnatia, për të synuar titullin kampion, më së pari duhen shënuar shumë gola. Së këndejmi nis edhe strategjia e Tetovës për të qenë rezultativ. Po nuk shënove, nuk fiton dot në futboll. Megjithatë, edhe nëse shënon, por nuk di të mbrohesh, sërish bilanci del negativ. Këtë mësim e dha ndeshja e kthimit me Ararat Armenia në “Elbasan Arena”, ku prapavija tregoi defekte.
Duke korigjuar të metat e sfidave europiane, referuar grupit të futbollistëve, Egnatia e pret besimplotë sezonin e ri, se do të jetë e suksesshme.
Stërvitjet po zhvillohen në kompleksin sportiv “Egnatia”, pranë Rrogozhinës, në kushte shumë të mira, të siguruara nga presidenti Demrozi. Njëshi i klubit rrogozhionas vazhdon të jetë në çdo moment pranë skuadrës, duke ndjekur, stimuluar, mbështetur lojtarët e stafin teknik. Dita e sotme është lënë pushim nga trajneri Tetova dhe ndihmësi i tij Julian Brahja, që po ashtu po kryen një volum të madh pune nga ana e tij. Përgatitjet do të vazhdojnë nesër me nga dy seanca stërvitore.
Konfirmohet largimi i Kacabufit dhe Meçja, të cilët klubi rrogozhinas i falënderon për kontributin e dhënë dhe iu dëshiron suksese më tej në karrierën e tyre. Të gjithë në unison po japin më të mirën në këto ditë të nxehta korriku, që nga stafi teknik, me në krye Tetovën dhe Brahjan, stafi mjekësor, psikologu, video-analisti, deri te punëtori më i thjeshtë i fushës. Bashkë për një qëllim: sezoni i ri futbollistik edhe më i mirë se i kaluari.