E rrallë në Çeki/ Trajneri kundërshtar tregon sesi i kishte përgatitur kurthin Eneo Bitrit: I thashë sulmuesve, vetëm fusni pak këmbën dhe Bitri del me të kuqe

Shpeshherë kemi dëgjuar sesi trajnerët studiojnë ekipet kundërshtare në forma nga më të ndryshmet për të dalë fitues në fundin e 90 minutave. Por në Çeki, kishte një studim me shumë detaje sa i përket ndeshjes mes Ostravës dhe Slovacko, ku protagonisti kryesor ishte Eneo Bitri.

Mbrojtësi shqiptar mori kartonin e parë të kuq me fanelën e Ostravës, por mesa duket, trajneri i Slovacko e kishte parashikuar më herët. Jan Baranek u shpreh se i kishte dhënë këshillë lojtarëve që t’i kushtonin vëmendje ndërhyrjeve të Bitrit, për ta nxjerrë atë me karton të kuq.

“Ne u thamë sulmuesve se Bitri bën ndërhyrje që janë të rrezikshme në zona të ngushta, ndonjëherë ju thjesht vendosni këmbën atje dhe është e kuqe direkt. Nuk mund të them që ishte një qëllim taktik i yni për ta përjashtuar Bitrin, por ishte një detaj që unë i kam dhënë lojtarëve në stërvitje gjatë udhëzimeve të përgjithshme”, tha trajneri i Slovacko.

Nga ana tjetër, trajneri i Ostravës, Pavel Hapal, e ka mbrojtur lojtarin shqiptar. “Bitri bëri faull dhe e meritoi kartonin e parë të verdhë. Por te i dyti, nuk e fajësoj dot sepse lojtari kundërshtar do të kishte shënuar gol. Kishte një pasim të keq në mes të fushës dhe nga aty rivali e dërgoi topin pas mbrojtjes tonë. Nuk ishte faji i Bitrit, por i pasimit të keq”, tha Hapal. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *