“Dukej e lehtë para se të luanim”, trajneri i Partizanit paralajmëron për ekipin nga Andorra: Kemi parë mjaft përmbysje rezultatesh

Partizani ka marrë sot një fitore minimale në turin e dytë kualifikues të Con”ference League-s. Megjithëse Atletic d’Escaldes shihej si inferior në letër, të kuqtë nuk kanë mundur të shënojnë dot më shumë se gol në Andorra. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë ka folur për mediat pas përfundimit të ndeshjes, ku është shprehur se përballja rezultoi më e vështirë se sa mendohej.

“Largimi me një rezultat pozitiv nga Andorra? Po, mendoj se kjo ishte gjëja më e rëndësishme. Përpara se të luanim këtë ndeshje dukej gjithçka e lehtë, por sot kundërshtari nuk rezultoi aspak i tillë. Patëm mjaft shanse për të shënuar deri në fund për ta mbyllur ndeshjen, nuk ia arritëm dhe e vuajtëm disi. Mendoj që është normale, pasi sapo kemi filluar të punojmë dhe kemi ende shumë gjëra për të bërë. Kemi diskutuar shumë për mënyrën e lojës, por sot mendoj që nuk kemi zhvilluar një lojë të mirë taktikisht. Edhe fizikisht nuk kemi qenë aty ku duhet.

Kualifikimi do të vendoset në Tiranë? Sugurisht, nuk duhet të mendojmë se çdo gjë ka mbaruar dhe në ndeshjen e kthimit do të jetë gjithçka më e lehtë. Kemi parë mjaft përmbysje rezultatesh. Ajo që është më e rëndësishmja është që të përqendrohemi seriozisht për të luajtur një ndeshje të rëndësishme”, ka deklaruar Zoran Zekiçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *