Partizani duket se e ka të fituar ndeshjen me rivalin e Atletico Escaldes pa hyrë ende në fushë. Përtej faktit që kundërshtari është modest, te Partizani mund t’i gëzohen edhe problemeve të mëdha të këtij klubi. Vetëm pak më parë është njoftuar se Fede Bessone nuk do të jetë më trajneri i Atletico Escaldes. Sipas raportimi që vjen nga “Anaesports”, shkarkimi ka ardhur vetëm 24 orë para ndeshjes me Partizanin. Një vendim tërësisht i çuditshëm ky, teksa Atletico nuk ka ende një trajner për ndeshjen e nesërme.
Nuk mbaron me kaq pasi përtej trajnerit, janë 8 lojtarë titullarë që i janë larguar skuadrës pasi mësuan se trajneri Bessone nuk do të jetë më pjesë e klubit. Vitolo, Alex Sanchez, Jilmar Torres, Victor Alonso, Victor Perez, Marti Riverola, Victor Casdesus dhe Mathias Courieu janë të gjithë lojtarë me peshë dhe pjesë të formacionit titullar, të cilët nuk do të jenë pjesë për ndeshjen e nesërme me Partizanin pasi mësuan largimin e trajnerit. Pritet që nesër të jetë trajneri i dytë i Atleticos që të ulet në stol, Dani Luque, por kjo mbetet ende për t’u konfirmuar. /Sport Ekspres/