Vllaznia e nisi me një disfatë turin e parë kualifikues në Ligën e Konferencës. Skuadra shkodrane u largua me një humbje 3-1 nga Belfasti mbrëmjen e djeshme. Pas ndeshjes me Linfildin, Migen Memelli ka folur për mediat, ku nuk i ka humbur shpresat për kualifikimin. Trajneri i kuqebluve beson se rezultati 3-1 e mban ekipin e tij në lojë në ndeshjen e kthimit.
“I bëmë gjërat mirë në pjesën e parë. Ajo çfarë nuk bëmë mirë në pjesën e dytë është që ramë pak nga ritmi i ndeshjes dhe u ndëshkuam në momentin më të mirë tonin, kur po mundoheshim të menaxhonim kundërshtarin. Edhe pse, e parë në këndvështrimin e lojës kemi bërë disa gabime individuale, të cilat do të mundohemi t’i rregullojmë në vazhdim. Besoj që është një rezultat që na mban në lojë. Është një rezultat me 2 gola poshtë, por në ndeshjen në Shkodër do të bëjmë maksimumin”, është shprehur Migen Memelli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/