Nga Klaudio Ndreca
Etrit Berisha (pa notë): “Nuk ishte dita për të vlerësuar Etrit Berishën. Për fat të mirë që përpara kishim Moldavinë. Vjen pas një “burgimi” prej disa muajsh në Itali, pas sherrit me trajnerin e Torinos, që nga janari, nuk ka parë as stolin në Itali. Silvinjo i dha një mundësi për t’u rritur edhe nga ana morale. Braziliani ishte i mbrojtur nga të gjitha anët pasi as Strakosha nuk po luan në Angli. Në ato momente kur duhet të dalë për të dhënë sadopak siguri, Berisha e bën. Duhet të gjejë me patjetër ekip të ri në merkaton e verës”.
Elseid Hysaj (7): “Kur është keq, jemi të parët që e kritikojmë, por jo këtë herë. Reja e ekspozonte edhe më shumë ndaj kritikave duke e lënë në një pozicion që shkodrani nuk mund ta mbulonte dot, nuk ishte në mundësitë e tij. Me skemën me katër mbrojtës dhe kalimi në krahun e djathtë, ka bërë që të shohim Hysajn e Lacios edhe te Kombëtarja. Qëndrojmë në ankth dhe duke pritur se kur do të vijë gafa e tij, të mësuar nga koha e Rejës, por nuk vjen në asnjë moment. Madje edhe goli i parë shënohet pasi fiton një duel me kundërshtarin duke ia “vjedhur” sferën. Një ndeshje për t’u duartrokitur, mbrojtësi ishte në nivelin e duhur”.
Berat Gjimshiti (6): “Një notë e ulët jo për shkak se zhvilloi një ndeshje të keqe, por nuk ishte kjo përballja për të parë mbrojtësit dhe portierin. E nis ndeshjen me një lexim të keq të situatës kur moldavët mund të rrezikonin, por më pas e ka gjithçka në kontroll”.
Ardian Ismajli (6): “I njëjti vlerësim dhe arsye si e Berat Gjimshiti. Ndeshje e mirë për mbrojtësin e Empolit, megjithatë qendra e prapavijës është “e dënuar” të ketë nota të ulëta sa herë që përballet me rivalë si Moldavia. Kjo është për shkak të meritës së shokëve të ekipit që nuk i dhanë zemër kundërshtarit më shumë se duhet. Ardiani ka qenë gjithmonë siguria e Kombëtares, jo vetëm dje”.
Mario Mitaj (7): “Ngeci nga emocionet në konferencën për shtyp pasi detyra e tij nuk është ajo e të folurit në publik. Mjafton ta nxjerrësh në fushën e blertë dhe më pas tregon se çfarë është i aftë që të bëj. Vetëm 19-vjeç dhe bën debutimin e parë me Shqipërinë A. Te U-21 cilësohej gjithmonë me prespektivë të madhe. Disa gabime të vogla në duele dhe humbje topi, por e kuptueshme, para 20.000 tifozësh në shtëpi. Në ndihmën sa i përket aspektit të sulmit tregoi se kishte shumë cilësi për të lënë mbrapa kundërshtarët. Super debutim!
Keidi Bare (6.5): “Është lojtari që mund të quhet “i mallkuar” te Shqipëria. Dëmtim pas dëmtimi dhe një histori që përsëritet shpeshherë aq sa kur e shohim të rikthyer, na duket si një lojtar i ri, që nuk e kemi parë më herët. Ndoshta nuk ishte në nivelin më të lartë të mundshëm për shkak të gjithë kësaj historie që përmendëm, por ka shpirtin e garës dhe dëshirën që e veçon nga të tjerët. Përshembull, në golin e parë, më shumë se edhe vetë autori goli, Jasir Asani, është gëzuar Keidi Bare. Momenti i festimit të tij është padyshim imazhi që duhet të përdoret edhe nga FSHF për të treguar ndjesinë që i jep lojtarëve kjo fanellë”.
Nedim Bajrami (7): “Silvinjo ka ndryshuar shumë lojtarë, jo me shkop magjik, por thjeshtë duke i futur në pozicionet e tyre. Për herë të parë edhe Bajrami e ka parë veten në rolin që preferon më tepër dhe kështu zhvilluar ndoshta ndeshjen më të mirë me Kombëtaren. Driblim, saktësi, qetësi, pasime të rrezikshme dhe një goditje e ëmbël te goli i dytë që tregon se ky lojtar nuk ka vetëm forcë në gjuajtje, por edhe shumë tru. Ka disa momente “fikje” gjatë ndeshjes, problemi i vetëm që mbetet për t’u rregulluar. Nëse do të kemi një Bajrami të nivelit të lartë për 90 minuta, me siguri që Europiani do të jetë më i afërt”.
Ylber Ramadani (7.5): “Fantastik! Nuk vjen nga Chelsea, Lacio, Granada, Brentford dhe ekipe të tjera marka. Për këtë arsye pritshmëria është e ulët te tifozët sa herë që shihet ai në formacion. Por Silvinjo ka shumë dorë edhe te ky futbollist. Paraqitja e tij me Moldavinë ishte brilante, nuk kishte ngathësinë që e kemi parë më herët, prishte çdo dëshirë të kundërshtarit për të nisur një aksion të rrezikshëm dhe ushtronte presion të vazhdueshëm, duke mos e ulur hapin për asnjë moment. Edhe në momentin e golit të Asanit, Silvinjo shkoi që të përqafonte Ramadanin. Kjo tregon shumë”.
Jasir Asani (6.5): “E gjithë nota për Jasir Asanin shkon për shkak të supergolit të shënuar. Një kryevepër që e ndihmoi jo pak Shqipërinë, në mënyrën sesi po shkonte ndeshja, ndoshta ishte e vetmja zgjidhje për të na dhënë avantazhin. Shkoi të përqafonte Silvinjon, është basti i brazilianit dhe falë tij e sheh veten të veshur me fanellën e Shqipërisë. Përtej golit, gabon në shumë momente me topat e humbura. Disa herë duke e vonuar pasimin dhe në të tjerët duke tentuar shumë driblime që nuk i dalin. Rivalët “ia bëjnë jetën ferr”. Moldavia e kishte studiuar shumë ndeshjen me Poloninë dhe mjaftoi vetëm një ndeshje e Jasir Asanit te Shqipëria, që rivali të kuptonte se duhej mbyllur vetëm ai krah, pasi aty ishte rreziku më i madh. Ia dolën, por edhe kur kundërshtari di ta mbyll që ky futbollist të mos futet në zonë, Asani tregon se di të jetë i pandalshëm nga distanca”.
Myrto Uzuni (6): “Një ndeshje mesatare e Uzunit. Sulmuesi i Granadas e di që pas sezonit të jetës në Spanjë, pritshmëritë për të janë ngritur maksimalisht në Shqipëri pasi ishte “lajmi i parë”. Tifozët presin që të zgjidh ndeshjen i vetëm dhe kur kjo nuk ndodh, atëherë ka zhgënjim. Për më tepër Uzuni ishte thuajse i parrezikshëm kundër Moldavisë, ndryshe nga ajo ndeshje me Poloninë. Nuk arriti të realizojë as kur nxirret me portën e boshatisur, koha e topit nuk gjendet për goditje, por për fat të mirë ishte pozicion jashtë loje. Kombëtarja mbetet ende një ngërç, megjithëse nuk mungon kurrsesi dëshira, është gjithë kohën duke vrapuar. Urojmë që ashtu si në ndryshimin te Granada mes atij sezoni të parë zhgënjyes dhe këtij të tanishmit, ku shënoi 23 gola, ta kemi edhe te Kombëtarja”.
Sokol Cikalleshi (6.5): “Nuk ishte ndeshja më e mirë kjo e Sokol Cikalleshit, këtë e di edhe vetë sulmuesi. Do të donte shumë që të shënonte një gol. Një gjysëm note më shumë se Uzuni pasi tregon se e ka ende magjinë për të shënuar nga distanca, e ka bërë edhe më herët, por këtë herë shtylla e ndali atë që do të ishte super gol, thuajse si i Jasir Asanit. Madje edhe në golin e dytë ishte Cikalleshi që ushtroi presion, duke e detyruar kundërshtarin që të humbte topin dhe Bajrami shënoi. Po hapte hapësira dhe po i linte më tepër mundësi shokëve të ekipit, në një mbrojtje aq të ngjeshur nuk ishte e lehtë”.