Nga Klaudio Ndreca
Në Shqipëri ekziston një mit i ndërtuar prej shumë kohësh. Të gjithë thonë se në merkaton e janarit është e pamundur që të gjesh lojtarë, mund të marrësh vetëm ata të “dorës së dytë” që janë skarco në ekipet ku bëjnë pjesë. Por në fakt, që të mbërrish te perforcimi i merkatos së dimrit, përveç rasteve kur ka dëmtime apo kërkon forcë shtesë, zakonisht është dështimi i merkatos verore që të dërgon në tregun e janarit.
Shembulli Egnatia është rasti konkret ku shihet se miti ka rënë. Kjo skuadër bëri padyshim merkaton të mirë në verë, por goditjet më të mëdha që po i japin suksesin me finalen e Kupës së Shqipërisë dhe vendin e tretë në kampionat, ishin ato të dimrit. Redi Kasa dhe Dwamena janë jo vetëm lojtarët më të mirë të Egnatias, por edhe të Superiores.
Megjithëse me pak muaj në dispozicion, Dwamena ka realizuar 9 gola deri tani në kampionat. Ish-lojtari i Levantes mund të linte futbollin më parë për shkak të problemeve me zemrën, por ai zgjodhi të kundërshtonte këshillën e mjekëve dhe po e tregon sërish në Shqipëri sesa vlen.
Nga ana tjetër, Redi Kasa ishte një tjetër lëvizje spektakolare. Pavarësisht se Kasa nuk i ka statistikat e Dwamenas, zbukuron futbollin dhe është nga të paktët ata element në Shqipëri që shihet si “ilaç për sytë” për tifozët. Gjithmonë e ka një driblim dhe ide tjetër, jo më kot edhe Silvinjo ka shkuar në stadium për ta ndjekur nga afër, duke e menduar seriozisht ftesën për Kombëtaren.
Pra në rastet kur gjithmonë na thuhet se një lojtar nuk po arrin të përshtatet me kampionatin tonë, ndoshta ky konstatim nuk është edhe kaq i vërtetë. Superiorja nuk është Serie A dhe as Bundesliga, një kampionat i nivelit të lartë ku futbollistët që transferohen nga njëri vend në tjetrin nuk arrin dot të përshtaten me ritmin apo mënyrën e lojës. Ndoshta ajo që ndikon më tepër në këtë pikë është nuhatja e drejtuesve për të gjetur elementin e duhur dhe dëshirën e lojtarit për të bërë mirë, urinë për sukses që të ngrihet së bashku me ekipin. Redi Kasa dhe Dwamena janë rasti perfekt, cilësi në këmbët e tyre dhe dëshirë për t’u ngjitur lart në karrierë, Superioren e shohin si trampolinën perfekte dhe Egnatia shkruan histori me ta. /Sport Ekspres/