Myrto Uzuni është paraqitur përpara mediave për të folur për Granadën e tij. Sulmuesi shqiptar është kthyer në pikën kyçe të klubit spanjoll, ku golat e tij po e dërgojnë drejt La Ligas. Por në rast të mos arritjes së objektivit kryesor, ngjitjes në mënyrë direkte në elitë, Granada do të duhet të luajë fazën “play off” në muajin qershor.
Këto përballje vendimtare përkojnë edhe me ndeshjet e Kombëtares në kuadër të fazës kualifikuese të Euro 2024. I gjendur mes një dileme të madhe, Myrto Uzuni nuk e përjashton mundësinë për të refuzuar ftesën e kuqezinjve, në mënyrë që të ndihmojë Granadën të ngjitet në elitë. Një veprim për të cilin në radhën e klubit spanjoll do t’i “puthnin duart”, duke qenë se është golashënuesi më i mirë i tyre dhe i kampionatit.
“Ka mbetur edhe një muaj për të zbuluar se çfarë do të ndodhë dhe ne do të duhet të shohim se çfarë është më e mira për Granadën dhe Kombëtaren time”, ka deklaruar Myrto Uzuni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/