E pabesueshme/ Polonia luajti me fatin dhe e la kualifikimin në dorë të kartonave, pritën me ankth lajmet nga Meksika

Një situatë e pabesueshme ndodhi në Grupin C. Argjentina bëri detyrën dhe mposhti me rezultatin 2-0 Poloninë, e cila dukej se ishte përgatitur më së miri për të…humbur. Shezni bën heroin në pjesën e parë për t’I mohuar golin Mesit nga penalltia, por me fillimin e pjesës së dytë argjentinasit zhbllokojnë rezultatin. Mak Allister shënoi në minutën e 46, ndërsa në të 67-ën Alvarez dyfishoi shifrat.

Por pavarësisht rezultatin, Polonia vijon të qendrojë në mbrojtje. Arsyeja? Meksika ishte duke fituar 2-0 kundër Arabisë Saudite dhe në fuqi hynte rregulli i kartonave të verdhë, çka dërgonte Levandovskin me shokë në fazën tjetër me eliminim direkt. Polakët luajtën me fatin dhe e lanë ndeshjen në dorën e të tjerëve, teksa prisnin me gishta të kryqëzuar që Argjentina të mos shënonte më tepër, por njëkohësisht edhe Meksika të mos tundte përsëri rrjetën e Arabisë Saudite.

Një lojë e rrezikshme, por që në fund fati u buzëqeshi. Arabët çtensionojnë gjendjen shpirtërore të polakëve, teksa në minutat e fundit të ndeshjes ngushtojnë shifrat në 2-1 dhe i japin kështu përfundimisht kualifikimin Polonisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *