Sistemi VAR/ Jareci zbulon statistikat e sezonit 2021/2022 me risinë: U kontrolluan 459 raste

Edicion futbollistik 2021/2022 erdhi me një risi të madhe në kampionatin “Abissnet Superiore” ku për herë të parë në futbollin shqiptar, u aplikua sistemi VAR, një nga projektet e investimet më të mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej më shumë se dy vitesh institucioni i futbollit në vend punoi fort për ta implementuar këtë sistem edhe në Shqipëri, me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe cilësisë së futbollit shqiptar, duke minimizuar gabimet e arbitrave.

Në një intervistë për fshf.org, shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci zbulon ekskluzivisht statistikat e nxjerra nga ky sektor përgjatë vitit të parë të VAR-it në Shqipëri. Gjithashtu, Jareci vlerëson punën e jashtëzakonshme të bërë nga arbitrat dhe asistentët përgjatë këtij sezoni, ndërsa tregon edhe problematikën kryesore të këtij edicioni të sistemit VAR dhe çfarë duhet përmirësuar në sezonin e ardhshëm.

Viti i parë i implementimit të Sistemit VAR, si u prit? “Si vit i parë, por edhe përpara fillimit të implementimit, puna ka qenë e jashtëzakonshme, që ka marrë rreth 1 vit e gjysmë edukim të arbitrave, teorik, por edhe praktik në fushë, deri në momentin kur testi zyrtar ishte ai i Superkupës së Shqipërisë dhe që vazhdoi më pas me implementimin e këtij sistemi në Abissnet Superiore. Si vit i parë, jemi të kënaqur, jo vetëm ne si Sektor, por ajo që është më kryesorja, ekipet, lojtarët, stafet e ekipeve, por edhe i gjithë komuniteti që ndjek futbollin shqiptar. Pritshmëritë tona nuk ishin për kaq pozitivitet në implementim që në vitin e parë. Kjo tregon një punë të jashtëzakonshme të bërë nga arbitrat dhe asistentët, që nga momenti i trajnimit të parë teorik, deri te trajnimet në fushë. Ne kishim një eksperiencë të parë, kemi gati tre ose katër vite që ndjekim kampionatet e huaja, ku ky sistem është implementuar. Kishim njohuri në lidhje me protokollin e sistemit VAR. Edhe arbitrat kishin njëfarë njohurie, por që ishin në aspektin e të parit futboll, ndërsa pjesa tjetër e të funksionuarit ishte diçka e re, e cila të krijon stres dhe ky stres ndikon edhe në vendimmarrje. Por puna e arbitrave dhe asistentëve ka qenë pozitive”.

Statistikat e edicionit të parë në kampionat me sistemin VAR – “Do të doja të ndalesha edhe në disa statistika që ne si Sektor kemi për Sistemin VAR gjatë vitit të parë. Fillimisht, dua të ritheksoj edhe njëherë që ky sistem bën kontrollin e çdo situate kur shënohet gol, kur kemi një penallti të dhënë, një karton të kuq të dhënë apo të padhënë dhe pozicionet offside. Statistikat që ne kemi nxjerrë:
459 incidente të kontrolluara nga Sistemi VAR (46 penallti, 37 kartona të kuq dhe 376 gola, të gjitha të kontrolluara nga VAR-i)
103 korrigjime të vendimeve nga Sistemi VAR (46 penallti, 37 kartona të kuq, 20 gola)
59 ndërhyrje ose rishikime në fushë nga ana e arbitrave (52 kthime të vendimit të arbitrit, kur ai shkon në monitorin e fushës dhe e rikthen vendimin e tij dhe 7 konfirmime të arbitrit në vendimin e tij, ku edhe pse është dhënë mundësia për të riparë vendimin në fushë, në 7 situata të tilla, arbitri ka mbajtur vendimin e tij)
VAR-i është përfshirë në 43.7% të rasteve
VAR-i nuk ka ndërhyrë në 27 ndeshje të kampionatit
Nuk e kemi pasur sistemin VAR në finalen e Kupës dhe në ndeshjen e play-out.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *