LIVE, Islandë-Shqipëri 1-1 Thorstenson 49′ /Seferi 30′
Shqipëria nuk ka shkuar më larg se një barazim 1-1 mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë u përpoqën deri në sekondat e fundit, por pa mundur të marrin dot tre pikët. Ndeshja nisi në mënyrë pozitive për ekipin tonë kombëtar, duke kulmuar edhe me golin në minutën e 30. Abrashi ishte i pandalshëm për rivalët dhe shkakton panik me goditjen e tij në zonë. Topi devijohet nga portieri, por Seferi ka nuhatjen e sulmuesit dhe gjendet në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Golashënuesi më i mirë i “Abissnet Superiore“-s shtyn topin e devijuar në rrjetë dhe nis menjëherë festën për kuqezinjtë.
Por kanë mjaftuar pak minuta në pjesën e dytë për të hedhur poshtë gjithçka të arritur në 45 minutat e para të ndeshjes. Një moment pakujdesie në zonë bën që tentativa e Gjimshitit për të spastruar zonën të përfundojë në një asist për kundërshtarin, i cili më pas nuk e ka të vështirë të shënojë golin e barazimit. Reja provon gjithçka për gjithçka dhe zëvendëson dyshen e sulmit me Balajn dhe Vrionin, si dhe aktivizon një talent si Kristjan Asllani. Megjithatë rezultati do të qendronte i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit. Shqipëria e nis kështu me një barazim 1-1 në transfertë këtë rrugëtim të ri në Ligën e Kombeve, ku objektiv ka vendin e parë në grup./Halit Delibashi-Sport Ekspres/