Shqipëria po bëhet gati të presë një nga eventet më të mëdha futbollistike, finalen e UEFA Europa Conference League, që do të luhet më 25 maj në stadiumin “Air Albania”. Kjo është një ngjarje e madhe dhe historike për vendin tonë, pasi kampioni i parë i këtij kompeticioni pritet të kurorëzohet në Tiranë. Përgatitjet kanë nisur prej kohësh, teksa gjërat po bëhen më konkrete tanimë, kur kanë mbetur vetëm 27 ditë nga kjo finale. Për të folur më tepër rreth detajeve të këtij eventi madhor, që pritet ta vendosë Shqipërinë në qendër të opinionit botëror për disa ditë, të ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora kanë qenë dy zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, Fatjon Kodra dhe Edlira Jaupaj.
Finalja historike e UEFA Conference League – Shqipëria nuk ka pritur kurrë më parë një aktivitet të këtyre përmasave, qoftë për nga rëndësia që ka, qoftë për nga operacioni masiv që ka nisur që para dy vitesh e që do të kulmojë me ditën e ndeshjes. Vendimi i UEFA-s për ta organizuar këtë finale në Shqipëri është marrë në 2020, por puna në terren ka nisur më herët, me delegacione të këtij institucioni që janë siguruar paraprakisht që vendi ynë mund ta organizojë këtë finale. Është bërë një punë voluminoze nga ana e FSHF-së për të fituar këtë ndeshje, pasi nuk funksionon thjesht me një aplikim, por është plotësuar një dokumentacion shumë i madh që i është paraqitur UEFA-s. Që prej fillimit, kur është vendosur që kjo finale do të zhvillohet në Shqipëri, por edhe më herët, janë bërë kontrolle e vizita që vendi ynë i plotëson kushtet për të pritur këtë ndeshje, ndërsa vazhdojnë e bëhen ende.
Programi i Vullnetarëve – Jo vetëm ky event vjen për herë të parë në Shqipëri, por edhe programi i vullnetarëve vjen për herë të parë në Shqipëri, ku 400 vullnetarë do të mbulojnë 32 funksione të ndryshme. Kemi rreth 2800 aplikime nga njerëz që dëshirojnë të jenë vullnetarë në këtë finale dhe pjesa më e madhe janë të huaj. Është bërë sistemi i aplikimeve të vullnetarëve, çdo gjë është online, në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku çdokush merr informacionin e nevojshëm për këtë detyrë. Si bëhet përzgjedhja? – Ne jemi fokusuar që këta vullnetarë të jenë shqiptarë në këtë ndeshje, pasi duam që kjo eksperiencë të mbetet këtu dhe kemi si synim që të kemi një sektor në FSHF për vullnetarët, të cilët do t’i kemi mbështetje në evente dhe evente të rëndësishme të institucionit. Interesi ka qenë shumë i lartë nga studentët dhe jemi fokusuar te ta, me synimin që kjo eksperiencë të vazhdojë dhe ta shpërndajnë te miqtë e tyre. Me ardhjen e përfaqësuesëve të UEFA-s në Tiranë, të gjithë do të nisin trajnimet në disiplinat përkatëse. Pas përfundimit të finales, pra më 26 maj, vullnetarët do të pajisen me një çertifikatë të vlefshme, që njihet në të gjithë botën, e firmosur nga vetë Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin dhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Sa “fiton” Shqipëria në këtë finale? – Shqipëria pa dyshim që fiton shumë, jo vetëm financiarisht, por edhe nga ana e imazhit. Në terma ekonomikë përfiton shumë, parashikohet që mund të gjenerojë diku te 140 milionë euro, që nga fluturimet ajrore, taksat aeroportuale, transporti, hotelet, akomodim, ushqim etj.
Numri i tifozëve që pritet të vijnë në vendin tonë – Në mbledhjet e UEFA-s na është thënë që do jenë 21.000 tifozë, aq sa do të jenë në stadium. Kjo është minimalja, pasi mund të shkojë deri në dyfishin e këtij numri të tifozëve në stadium. Ne jemi të përgatitur për të pritur një fluks tifozësh ato ditë.
Ndarja e biletave për të parë finalen në stadium – Dy skuadrat finaliste do të kenë nga 4000 bileta në dispozicion, ndërkohë që publiku i përgjithshëm do të ketë në dispozicion 8000 bileta dhe pjesa tjetër është e UEFA-s, që e menaxhon në nivel protokollar. Vetë UEFA synon që të ketë sa më shumë shqiptarë sepse luhet në Shqipëri dhe biletat të bliheshin nga vendasit, por kërkesat janë të larta nga jashtë. Biletat mund të blihen vetëm online në faqen zyrtare të UEFA-s. Ka nisur prenotimi i biletave, ndërsa për pak ditë pritet të nisë shitja e tyre.
Ditët para finales – Pritet të jetë rrëmujë, për shkak se pritet të vijnë shumë njerëz, por janë marrë masat, duke qenë se përgjatë gjithë kësaj kohe, jemi fokusuar edhe te siguria e ndeshjes. Kemi bashkëpunuar me Policinë dhe me kompani sigurimi private që çdo gjë të jetë në rregull, që nga momenti që zbresin në aeroport, deri te momenti që hyjnë në stadium. Vetëm perimetrit të stadiumit “Air Albania” pritet të jenë diku te 650 stjuardë, ndërsa jashtë stadiumit do të ketë forca policie. UEFA dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë disa trajnime me Policinë, Shërbimin Zjarrfikës, Urgjencat Mjekësore, Kryqin e Kuq dhe vazhdojnë të bëhen akoma. Është një punë voluminoze dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë, pasi ky është vetëm fillimi për të pritur të tilla aktivitete kaq madhore.
Ndryshimet në stadiumin “Air Albania” – Do ketë shumë ndryshime që do të jenë provizore. Rreth 10 ditë para finales, UEFA “do të marrë në dorë” stadiumin dhe pas finales, stadiumi do të jetë siç është aktualisht. Në stadium do të vendosen dy ekrane gjigande, në mënyrë që tifozët të kenë mundësi të shikojnë nga ekranet ndeshjen. Do të vendosen dy studio televizive, që do të jenë në dy tribunat jugore dhe veriore, për të krijuar pamje nga fusha. Do të ketë një transformim të tribunës kryesore dhe do të trefishohet kapaciteti për median, pasi interesi është shumë i lartë.