Sot nis java e 30 e “Abissnet Superiores“. E gjithë vëmëndja shkon në Kukës, atje ku pas disa viteve pritje, do të vijë edhe inagurimi i stadiumit të ri të skuadrës. Mbrëmja e sotme parashikohet të kthehet në një festë për të gjithë kuksianët, që do të kenë mundësinë të luajnë në një impiant tërësisht modern dhe sipas standarteve të UEFA-s.
Por përballë qendron kundërshtari i gabuar. Laçi ka rezultuar një “kockë e fortë” për verilindorët këtë sezon. Barazimi i marrë në përballjen e parë mes tyre në këtë kampionat është rezultati më pozitiv për Kukësin, i cili dy sfidat e tjera me kurbinasit i ka humbur.
Statistikat përballë Laçit këtë sezon i japin një motiv shtesë ekipit të Longos, i cili kurrsesi nuk do të dëshironte të niste rrugëtimin në shtëpinë e re me një rezultat negativ. Fitorja është e vetmja alternativë në Kukës, në mënyrë që mbrëmja e sotme të jetë e gjitha për t’u festuar për ta.
Ndërkohë ditën e sotme do të zhvillohet gjithashtu edhe dueli mes Vllaznisë dhe Partizanit në orën 16:45. Të kuqtë udhëtojnë drejt Shkodrës me qëllimin e vetëm për “hakmarrje“ pas atij eliminimi nga Kupa e Shqipërisë./Sport Ekspres/