VIDEO/ “Po të luaja keq nuk do isha titullar“! Maguire hedh vetë në kosh fjalët e tij, dështon në kurthin për pozicion jashtë loje

Harry Maguire është një nga emrat më të përfolur pas thuajse çdo ndeshjeje të Manchester United. Kjo për faktin se gafat e tij në fushën e lojës shohen gjithnjë e më shumë. Megjithatë në një intervistë të dhënë përpara ndeshjes me Liverpool-in, mbrojtësi anglez është shprehur se: “Unë nuk do të isha duke luajtur në çdo ndeshje të Manchester United-it në 11-shen titullare nëse do të luaja keq në çdo ndeshje. Ka një arsye përse të dy trajnerët (Solskjaer, Rangnick) më kanë vendosur në 11-shen fillestare në çdo ndeshje”.

Por fjalët e tij ka qenë vetë Maguire që i ka hedhur në kosh në përballjen me “the reds”. Në golin e parë mbrojtësi anglez gjendet i pozicionuar keq, duke i lënë hapësira të mëdha Salah, i cili më pas dha asistin e golit për Diazin. Ndërkohë në pjesën e dytë, Maguire është përsëri protagonist në golin e Salah. Futbollisti i “djajve të kuq” dështon keq në kurthin për të zënë në pozicion jashtë loje egjiptianin. Harry Maguire shtyn një hap përpara në momentin e pasimit, duke harruar se pas tij gjendeshin të tjerë shokë të skuadrës. Kjo lëvizje e gabuar e tij bëri të mundur që të krijohet një hapësirë e madhe pas dhe topi të shkonte me lehtësi në këmbët e Mohamed Salah./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *