Ruleta e penalltive dërgon në finale Vllazninë, “Loro Boriçi” mund të festojë i qetë pas gjysmëfinales sfilitëse

Kupa e Shqipërisë ka njohur çiftin e skuadrave që do të përballen me njëra-tjetrën në finale. Pas një gjysmëfinaleje sfilitëse mes Vllaznisë dhe Partizanit, tifozët në “Loro Boriçi” ngrihen të gjithë në kmëbë dhe mund të festojnë të qetë. Esat Mala ka gjetur rrugën e rrjetës që në minutën e 3-të të takimit, ndërsa në minutën e 28 ishte Aralica ai që ktheu përsëri baraspeshën. Rezultati ka qendruar i tillë përgjatë gjithë kohës së rregullt, ndërsa në minutën e 92-të pati një protestë për penallti nga e shkodranëve. Arbitri Juxhin Xhaja ka bërë me shenjë se gjithçka ishte e rregullt, vendim të cilin  e ka aprovuar më pas edhe sistemi  VAR.

Ekipet kanë tentuar të gjejnë golin e fitores në kohën shtesë, por pa sukses. Në fund ishin 11 metërshat ata që vendosën fituesin. Ruleta e penalltive i buzëqeshi Vllaznisë, e cila nuk gaboi asnjë nga 5 11 metërshat e ekzekutuar. Në krahun tjetër Xhuljano Skuka gaboi përballë portierit Zogoviç, duke mbajtur kështu mbi supet e tij peshën e eliminimit. Vllaznia tashmë do të përballet në finalen e Kupës së Shqipërisë me Laçin, ku do të luhet për trofeun dhe një biletë për në Europë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *