“Honvedi do paguajë kartonin por kam 2 oferta“, Dokën nuk e tremb Balliu me Hysajn: Nuk dua t’ja di ku luan njëri dhe tjetri, ja ç’diskutuam në Kombërare

Albi Doka ka qenë i ftuar në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“, ku ka zbuluar më tepër rreth së ardhmes së tij. Mbrojtësi shqiptar tregon se Budapest Honved ka vendosur të blejë kartonin e tij, por nga krahu tjetër në tryezën e tij kanë mbërritur edhe dy oferta të tjera. Doka gjithashtu ka kthyer vëmëndjen edhe te Kombëtarja, ku konkurenca me dy lojtar si Hysaj dhe Balliu nuk e tremb.

“Ndihem shumë mirë. Gjithçka është perfekte. Kam ardhur në formën e huazimit nga Gorica, por tani klubi ka vendosur të paguajë kartonin tim. Ofertat? Asaj gjëje i përket klubit dhe menaxherit tim. Unë duhet të përqendrohem te kampionati. Të mbarojë kampionati deri në fund dhe pastaj të shikojmë kush është më e mira për mua. Unë nuk e prisja këtë gjë, pasi sapo erdha nga Kroacia këtu, dy muaj kam. Isha në formë huazimi këto 4 muaj dhe këta kanë vendosur të më blejnë kartonin. Por unë gjithashtu kam dy oferta. Nuk mund të flas dot më shumë. Klubi më prish punë pastaj. E kam të shkruajtur në kontratë që nëse flas zbritet llogaria bankare.

E kam ndjekur rregullisht Tiranën këtë vit. Tirana këtë vit është shumë e fortë me stafin që ka. Por po ta shohësh nga njëri krah, ekipet nuk janë aq shumë të forta këtë vit dhe Tirana është shkëputur shumë. Por kjo do të thotë edhe që Tirana ka qenë shumë e fortë. Nuk mund të them se ka qenë më e fortë se e dy viteve më parë, por di të them që këtë vit është shumë e fortë.

Vendi në Kombëtare? Është e vërtetë që është shumë e vështirë, sepse pozicioni im është shumë i vështirë. Por unë në radhë të parë dua të them që është kënaqësia ime që shkoj në Kombëtare. Si në stol, si të luaj për mua është njësoj. Mjafton të jem atje dhe të vazhdoj akoma më lart. Ky është synimi im që të transferohem diku tjetër dhe, pse jo, të kap vendin tim në Kombëtare. Konkurenca me Hysajn dhe Balliun? Unë nuk dua të di se ku luan njëri dhe ku luan tjetri. Të dy janë shumë mbrojtës të mirë dhe kush të jetë më i zoti le të luajë.

Më këta lojtarë që kemi tani, besoj që Shqipëria ka grupin më të mirë dhe lojtarët më të mirë. Besoj që për mua Izraeli dhe Islanda mund të fitohen të dyja dhe do e kalojmë me shumë sukses. Për mendimin tim, e kemi diskutuar edhe në grumbullimin e fundit të Kombëtares, jemi shumë të sigurt dhe besojmë shumë në cilësitë tona. E kemi diskutuar që do i fitojmë të dyja ndeshjet“, është shprehur Albi Doka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *