“Ka edhe video për këtë”/ Roma akuzon trajnerin e Bodo/Glimtit se goditi me grusht, norvegjezi mohon: Më kapën prej fyti, ishte reagim natyral

Që pas asaj humbjeje turpëruese 6-1 vitin e shkuar mes Romës dhe Bodo/Glimtit duket se lindi një armiqësi. Të dyja skuadrat janë ballafaquar përsëri në fazën çerekfinale të Ligës së Konferencës, ku pas përfundimit të ndeshjes nuk ka munguar tensioni. Akuza dhe kundërakuza kanë qenë kryefjala e mbrëmjes së djeshme.

Lorenco Pelegrini do të shprehej publikisht se trajneri kundërshtar erdhi dhe goditi me grusht Nuno Santosin, përgatitësin e portierëve. “Trajneri i tyre Knutsen sulmoi trajnerin tonë të portierëve. Nisi t’i thoshte diçka dhe pastaj e goditi fort. Erdhëm këtu me respekt, por fakte të tilla janë një ofendim për Romën dhe kompeticionin. Është një turp“, ishin fjalët e thëna nga Pelegrini për mikrofonin e “Sky“.

Por nuk ka munguar kundërpërgjigja e Bodo/Glimtit, që me anë të një komunikimi zyrtar hedh poshtë të gjitha pretendimet e verdhekuqve. Madje trajneri Knutsen tregon një tjetër version. Sipas tij, ishte Nuno Santos ai që e kapi për fyti në tunelin që të dërgon në dhomat e zhveshjes dhe veprimi i tij më pas ishte mbrojtës. Pala norvegjeze gjithashtu shton se ekziston një video që e vërteton një fakt të tillë, të cilën ia kanë vënë në dispozicion UEFA-s.

“Gjithçka kulmoi me një sulm fizik mbi mua në tunel. Zakonisht janë gjëra normale dhe unë thjesht largohem. Por në këtë rast, jam abuzuar fizikisht. Ai më mbërtheu prej fyti dhe më shtyti pas murit. Ishte natyrale që unë të mbroja veten“, ka thënë Knutsen në versionin e tij të ngjarjes./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *