Faza çerekfinale e Ligës së Konferencës ka vënë përsëri përballë Bodo/Glimtin dhe Romën. Norvegjezët rezultojnë një “mace e zezë” për Zhoze Murinjon, teksa kanë fituar me përmbysje kundër verdhekuqve. Romakët ishin të parët që kaluan në avantazh, duke përshëndetur rrjetën në minutën e 43-të me anë të Pelegrinit.
Por pjesa e dytë do të fliste në favor të vendasve. Në minutën e 56, Vembangomo kthen baraspeshën falë një gafe të portierit Rui Patricio. Portieri i skuadrës italiane dështon të grushtojë atë top qendror, duke e shtyrë me duart e tij drejt rrjetës. Në minutën e 72-të Marash Kumbulla arrin të gjejë golin për Romën, por festa prishet nga flamuri i ngritur lart prej anësorit. Ndërkohë kur po luhej minuta e 89 e sfidës, Vetlesen befason ekipin e Murinjos, duke shënuar golin e fitores për Bodo/Glimtin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/