Një ngjarje e turpshme ndodhi në ndeshjen mes Gjilanit dhe Ballkanit. Ndeshja ishte në shifrat 0-1 dhe kur pritej fundi i saj, Enea Koliçi arriti të barazonte pasi kishte dalë nga porta e tij. Menjëherë shpërtheu festa e madhe dhe dy tifozë kanë goditur portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, duke e bërë për spital.
Ky incident nuk erdhi papritur pasi Frashëri ishte kapur prej disa minutash me tifozët kundërshtarë. Portieri i Ballkanit po mundohej të zvarriste minutat dhe kjo shkaktoi irritimin e tyre duke hedhur edhe disa sende. Frashëri do t’i kthehej dhe gjithçka kulmoi në fund. Ndërkohë Komisioni i Disiplinës në Kosovë vendosi për fitoren e Ballkanit në tavolinë me shifrat 0-3 duke e afruar më tepër me titullin dhe duke e larguar më tepër Gjilanin, që pretendonte vendin e parë.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ka vendosur në fotografinë e profilit Enea Koliçin duke u krenuar me këtë portier që arriti të shënonte në fund, por mundi i tij u hodh dëm nga sjellja e dy tifozëve dhe vendimi i Komisionit të Disiplinës. Gjithashtu trajneri ka hedhur edhe disa thumba për Frashërin në komente: “Vetëm se të provokoj dhe ofendoj kurrë nuk e bëj, se i them vetes 2% burrë. Le të mbetet në nder të gjithsecilit”, shkruan Munishi. /Sport Ekspres/