Laçi vijon të mos e njohë fitoren në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme është mposhtur me shifrat 2-1 nga Partizani. Një humbe që padyshim nuk i pëlqen aspak trajnerit Mirel Josa, i cili në intervistën e dhënë pas ndeshjes për “Gol pas Goli“ në “Supersport“ është shprehur se i vjen keq që është mposhtur nga një ekip që ka luajtur 24 orë pas kurbinasve gjatë ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Gjithashtu, kreu i pankinës së Laçit ka thënë se ekipi i tij nuk meritonte të dilte me pikë nga përballja e sotme kundër Partizanit.
“Problemi nuk është te rivalët por te vetja jonë se vinim pas një ndeshje të Kupës ku kishim përmirësime, por sot bëmë një hap mbrapa. I kishim linjat larg dhe Partizani i shfrytëzoi, u vonuam të shkonim përpara. Pjesa e parë ishte shumë negative dhe mund të them se humbëm ekuilibrat. Në të dytën u goditëm në momentin më të mirë për një pakujdesi. Partizani menaxhoi situatat siç duhej.
Goli i anuluar? Derisa ishte goli në pozicion jashtë loje nuk dua ta diskutoj. Veliaj pati një rast në pjesë të parë dhe për atë më vjen keq, por ne nuk meritonim pikë në ndeshjen e sotme. Duhej të ishim më të përqendruar te goli i parë i Partizanit dhe në shumicën e rasteve ato harkime përfundojnë në gol nëse shërbimi është i mirë, ndaj duhej të ishim më të kujdesshëm, edhe te penalltia njësoj.
U mundëm nga një skuadër që ka luajtur 24 orë pas nesh dhe për këtë më vjen edhe më shumë keq. Gabimet i kemi analizuar, por duhet të bëjmë më pak. Në këtë periudhë nuk ka më ndeshje brenda apo jashtë, ndaj problemi është si interpretohet loja. Mbrojtësit anësorë lanë shumë hapësira dhe distanca ishte e madhe nga mesfusha dhe qendërmbrojtësave”, ka deklaruar Mirel Josa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/