Në kuadër të organizimit të finales së madhe të UEFA Conference League, që do të zhvillohet më 25 maj në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe UEFA kanë nisur të martën një trajnim të përbashkët me temën “Safe & Security”, që do të zgjasë tre ditë.
Në këtë trajnim do të marrin pjesë drejtues të nivelit të lartë të institucioneve të vendit, duke nisur nga zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit, Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrfikës, Kompanitë e Sigurimit, Shërbimit të Urgjencave Mjekësore dhe Kryqit të Kuq.
I pranishëm ditën e djeshme në këtë aktivitet ishte vetë zv.Presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, i cili në fjalën e tij u shpreh se ky është një aktivitet i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë dhe futbollin shqiptar, prandaj edhe masat e marra duhet t’i përgjgijen maksimalisht organizimit të kësaj finaleje. Ky nuk do të jetë trajnimi i vetëm sa i përket sigurisë tha Libohova, teksa në muajin shkurt u zhvillua një tjetër trajnim me trajnerët e shërbimit te sigurisë steëard dhe në muajin prill do të organizohet trajnimi i radhës me Policinë e Shtetit.
Më poshtë fjala e plotë e Edvin Libohovës në çelje të trajnimit tre ditor:
“Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të dëshiroj, t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë, zotit Van Praag, zotit Pavlica dhe gjithë grupit të eksperteve të UEFA-s, që ndodhen në këtë sallë.
Gjithashtu doja t’u shpreh mirënjohjen stafit të specialistëve dhe ekspertëve me përvojë të UEFA-s, për organizimin e këtij trajnimi të përbashkët ndërmjet FSHF-së, Kompanive të Sigurisë, Policisë së Shtetit, Shërbimit Zjarrfikës, Shërbimit të Urgjencave Mjekësore dhe Kryqit të Kuq. Gjithashtu do të dëshiroja t’ju falënderoj edhe ju të nderuar pjesëmarrës në këtë trajnim të rëndësishëm.
Ky aktivitet është ne vazhdën e përgatitjeve, planeve dhe masave paraprake te ndërmarra nga UEFA, në bashkëpunim të ngushtë me FSHF-në, për të mundësuar një ndeshje finale madhështore të Conference League, me parametra maksimalë sigurie dhe shërbimi, gjatë atmosferës festive që do të krijohet në datën 25 Maj. Pas ciklit të trajnimeve me trajnerët e shërbimit te sigurisë steëard, të zhvilluar në muajin shkurt, ky aktivitet i pasuar edhe nga trajnimi i muajit prill për policinë e shtetit, jep mundësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira Evropiane në fushën e menaxhimit të ngjarjeve masive të këtyre përmasave dhe garantojnë një finale festive dhe të sigurt për të gjithë sportdashësit, ekipet, stafet e tyre dhe gjithë qytetaret e Tiranës.
Ky është një event i jashtëzakonshëm dhe madhështor për Tiranën dhe Shqipërinë dhe po ashtu edhe masat tona do t’i përgjigjen në nivel maksimal organizimit të kësaj finaleje të madhe. Edhe njëherë ju uroj pune të mbarë dhe suksese gjatë trajnimit”– tha Libohova në fjalën e tij.
Trajnimi do të mbyllet të enjten, ku të gjithë pjesëmarrësit, të cilët do të luajnë rol kyç në sigurinë e finales së madhe të 25 majit, do të pajisen me çertifikata. Ndërkaq, në muajin prill, UEFA do të organizojë një trajnim tre ditor vetëm për policinë, në kuadër të kësaj ndeshjeje kaq të rëndësishme, jo vetëm për FSHF-në, por për të gjithë Shqipërinë.