Tifozët e PSG kanë vërshëllyer gjatë gjithë kohës Lionel Mesin dhe Neymar ndaj Bordo. Tërësisht të mërzitur dhe dëshpëruar nga eliminimi i papritur që erdhi ndaj Realit të Madridit, në atë mbrëmje pa yje për francezët.
Rreth kësaj situate ka folur edhe legjenda e futbollit në Itali, Paulo Di Canio. Pa asnjë mëshirë të vetme ka shigjetuar hapur dy figurat e mëdha të Europës në këto momente. “Mesi është larguar nga fusha duke kruar kokën dhe pa asnjë emocion nga vërshëllimat. Prandaj nuk më pëlqen ai dhe preferoj më shumë Kristiano Ronaldon. Preferoj një njeri me emocione sesa një alien që nuk shpreh asnjë emocion. Sjellja e tij ishte e tmerrshme.
Por nëse flasim për Neymar, është edhe më keq se Mesi. Nuk ka bërë asgjë që kur erdhi te PSG dhe muajin e shkuar tha me gjakftohtësinë më të madhe se dëshiron të kalojë në MLS pasi atje ka tre muaj pushim. E respektoj këtë vendim, por këtu ka një problem dhe kjo nuk mund të mohohet”, tha Di Canio. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/