Puna e bërë nga Mehmeti deri tani te Partizani ka qenë për t’u duartrokitur. Të parët kemi qenë në radhën e skenës së ngritur për trajnerin e ri të kryeqytetasve, që po dëshmonte se e meritonte këtë mundësi, ndoshta prej kohësh.
Por teksa kemi qarkullimin e disa emrave të rinj të trajnerëve në Superiore, në të njëjtën kohë krijojmë pritshmëri të mëdha se do të kemi edhe një mentalitet të ri. Në ditën e sotme, për herë të parë jemi zhgënjyer nga Mehmeti në këtë drejtim.
Menjëherë pas daljes në intervistën për “Supersport”, i pyetur nga Ledio Pano sesi ishte e mundur që Bitri të bënte një ndërhyrje aq bru.tale, Mehmeti tha: “Ishte për top”. Por kushdo që e ka parë pamjen shihej qartë se mbrojtësi nisur nga nervat e golit të dytë të pësuar mund të kërkonte gjithçka në atë kontakt me kundërshtarin, veçse sferës.
Gjithashtu pretendime ka pasur edhe për kartonin e kuq të Markut pas dy të verdhëve, duke thënë se i dyti nuk qëndronte. Por nëse shihni të dyja rastet te Partizani, si rrallëherë në Superiore, lojtarët dalin vetë nga fusha sapo arbitri fut dorën në xhepin e tij, pa pritur më shumë.
Pra vetë futbollistët që kryen ndërhyrjet e kuptuan gabimin e tyre dhe nuk kishin arsye për të protestuar. E parë në këtë linjë mendimi, mbrojtja e Mehmetit për ta deleguar përgjegjësinë te arbitri ishte tërësisht e evitueshme.
Por gjithashtu edhe fjalët e thëna se vëmendja ishte sesa do të ndikonte ndeshja derbi në këtë përballje ndaj Egnatias. Te lojtarët kërkohej që të ishin të fokusuar te Egnatia, ndërsa në të njëjtën kohë ishte vetë trajneri që kishte në kokë ndeshjen me Tiranën:
“Kur bëhet fjalë për të nxjerrë kartonin e kuq për Partizanin e bëjnë, por kur bëhet fjalë për kundërshtarët ndaj Partizanit se kanë aq të lehtë, madje edhe në derbi për atë ndërhyrje pa top”, tha Mehmeti për të bërë një krahasim që dukshëm tregon pengun e ndeshjes së kryeqytetit që i përket një historie të mbyllur. Fundja, nëse një arbitër ka bërë një gabim më parë, gafa nuk i përligjet duke e përsëritur për herë të dytë./Sport Ekspres/