Tre përfaqësues të UEFA-s kanë ardhur në Tiranë dhe janë në shtëpinë e futbollit për t’u njohur me të gjitha problematikat e zgjedhjeve të ardhshme për president të FSHF. Pavarësisht konfirmimit që mori Ceferin nga Rama se politika nuk do të ndërhyjë në futboll, një tjetër goditje pas shpine erdhi. Gjykata e Tiranës njohu mbledhjen e drejtuar nga Erion Veliaj që shpallte fitues Prodanin dhe jo atë nga vetë komuniteti i futbollit që votoi Alimehmetin. Në një lidhje live për “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari, ishte zëdhënësi për shtyp i FSHF, Fatjon Kodra.
“Të gjithë e kuptojnë shqetësimin real që ka UEFA në këto zgjedhje të FSHF. Kjo u pa qartë nga vizita e vetë Ceferin, pak ditë më parë në Tiranë. Për shkak të ndërhyrjeve politike, presioneve ndaj anëtarëve të Shoqatave, UEFA ka qenë e shqetësuar. Ceferin pa situatën në terren dhe u takua me Ramën që procesi zgjedhor i FSHF të mos ndikohet nga palët e treta. Për këtë arsye edhe delegacioni i UEFA-s. Bëhet fjalë për ekspertë shumë të mirë, që janë në ambientet e FSHF dhe po njihen me të gjithë zhvillimet e fundit dhe problematikat e procesit.
Ata do të jenë të paktën tre ditë në Tiranë dhe mund të ketë takime me anëtarë shoqatash dhe anëtarë të futbollit që të përgatisin një raport që do të dërgohet edhe te Ceferin, por edhe me shumë gjasa që do të mbërrijë te kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Vendimi i Gjykatës Tiranë? Është një arsye më tepër se përse UEFA përshpejtoi ardhjen e delegacionit. Është paradoksale pasi këtë Asamble e ka drejtuar Erion Veliaj, një marrëzi. Si mundet një Kryetar Bashkie të mbledh disa anëtar dhe të bëj një Asamble?”, pyet Kodra. /Sport Ekspres/