Në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari ka pasur një intervistë me Andi Verçanin. Drejtori i komunikimit për shtyp në FSHF ka folur rreth zhvillime të fundit, ku Shqipërisë po i rrezikohet seriozisht edhe finalja e Conference League që është përcaktuar për t’u luajtur në “Air Albania”.
“Situata është e qetë, vazhdojmë punën tonë normalisht. Besoj se politika do të reflektojë dhe do të kthehemi në binarët normal. Njëherë ka pasur përjashtim për Shqipërinë pasi u përpoq që të ndërtohej Federatë paralele. Do të ishte e tmerrshme ajo që shkruhej nga ana e UEFA në “Associated Press” që rrezikohet finalja e Conference League. Ajo është arritja jonë më e madhe dhe dhurata më e madhe.
Është promovim fantastik për Shqipërinë si imazh, një event që ka impakt ekonomik mbi 140 milionë euro në ekonominë e qytetit. UEFA është e çuditur për ndërhyrjen e kryetarit të Bashkisë dhe nuk arrijnë dot ta kuptojnë. Na thonë gjithmonë: “Përse duhet që të ndërhyjnë ata?”. Bashkia duhet të harxhojë kohë dhe energji për të ndërtuar fusha së bashku”, tha Verçani. /Sport Ekspres/