Bajerni i Mynihut ka vërtetuar mentalitetin gjerman që fjalën mëshirë nuk e njeh në fjalorin e tij. Megjithëse me kualifikimin në “xhep”, bavarezët nuk e kanë ulur aspak ritmin në përballjen e fundit në grup kundër Barcelonës. Katalanasit udhëtuan drejt Mynihut me synimin e vetëm fitoren, pasi ishte kjo e vetmja rrugë për të prerë një biletë për në raundin pasardhës.
Por Bajerni mbetet një makineri që shtyp këdo rival që i del përpara, e këtu përjashtim nuk bën as Barça e Xavi-t. Myler shkund rrjetën i pari në minutën e 34-t, ndërsa pak para përfundimit të pjesës së parë ishte Sane që realizoi një supergol nga distanca.
Të gjithë prisnin një reagim nga ekipi blaugrana në fraksionin e dytë të lojës, por diçka e tillë nuk ndodhi. Madje Bajerni tregoi dominimin e tij dhe shënoi edhe golin e tretë me anë të talentit Musiala. Sfida përfundoi me rezultatin 3-0 dhe Barcelona e sheh tashmë veten të eliminuar nga Champions League./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
https://twitter.com/VaIverdeSZN/status/1468682682771156999