Vuan pasojat e vendimit të marrë dy vite më parë, Hysaj detyrohet ti paguajë Napolit 40 mijë euro

Elseid Hysaj do të detyrohet të paguajë në llogarinë bankare të Napolit një sasi prej 40 mijë eurosh. Arsyeja gjendet në vendimin e marrë dy vite më parë. Bëhet fjalë për atë që ndodhi pas ndeshjes mes Napolit dhe Salzburgut në Champions League. Klubi kishte dhënë urdhër që të gjithë lojtarët do të grumbulloheshin pas sfidës dhe do të shkonin në qendrën stërvitore për të fjetur e për të nisur të nesërmen stërvitjen.

Një urdhër ky që shumë lojtarë nuk iu përgjigjën, përfshirë këtu edhe Hysjan. Lojtari i Kombëtares shqiptare u largua nga stadiumi me makinë për në shtëpinë e tij dhe ky vendim i kushton sot 40 mijë euro. Bordi i Arbitrazhit i ka dhënë të drejtë kërkesës së Napolit dhe Elseid Hysajt nuk i mbetet gjë tjetër veçse të zbatojë vendimin dhe të paguajë gjobën.

“SSC Napoli Spa njofton se sot është publikuar vendimi i parë i arbitrazhit në lidhje me propozimet e gjobave në lidhje me anëtarët e Ekipit të Parë në sezonin futbollistik 2019-2020, për ngjarjet pasuese të ndeshjes UEFA Champions League Napoli – Salzburg të 5 nëntor 2019.

Me këtë dispozitë, Bordi i Arbitrazhit të parashikuar nga Marrëveshja Kolektive LNPA/AIC/FIGC urdhëroi gjobën prej 40,000,00 € ndaj lojtarit Elseid Hysaj, duke njohur kështu legjitimitetin e tërheqjes së urdhëruar nga klubi dhe si pasojë shkeljen e kontratës nga lojtari, i cili nuk e respektoi direktivën e lëshuar nga Klubi. Falenderojmë sinqerisht Mattia Grassani-n, i cili ka mbrojtur shkëlqyeshëm shoqërinë napolitane”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga klubi i Napolit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *