Hidhet poshtë ideja e një sezoni! Fitorja me Kastriotin ishte jetike, por te Partizani shihet si kthese jo vetëm për rezultatin

Në momentin kur Ilir Daja do të prezantohej te Partizani dhe me ekipin që ishte me merkato të bllokuar, nuk mund të vendosej si objektiv titull kampion. Sigurisht, një skuadër e tillë e kërkon gjithmonë vendin e parë, por drejtuesit ishin të qartë në fjalën e tyre. “Ajo që ne duam është rikthimi i identitetit”. Pas një periudhe të madhe krize nga ana e Partizanit, për mënyrën sesi luante në fushën e blertë, te klubi kërkohej futbolli sulmues dhe dominimi i kundërshtarit, disa herë duke sakrifikuar edhe rezultatet.

Ky lloj futbolli ishte jo pak rezultativ në sezonin e shkuar, atje ku Partizani luftoi për titullin kampion deri në javët e fundit. Por në momentin që me këtë lojë po sakrifikoheshin disi rezultatet në sezonin e ri, u kuptua sërish se në fund të fundit, trajneri mbahet nga rezultatet. Kështu Partizani arriti që të fitonte kundër Kastriotit me shifrat 0-2 në transfertë.

Ndoshta ishte një nga fytyrat më të shëmtuara që kemi parë nga ekipi i Dajës në këtë sezon, por në fund prodhoi tre pikët e para. Pra kjo ndeshje ndaj skuadrës së Ndreut mund të jetë një pikë kthese jo vetëm për rezultatet e Partizanit, por edhe për lojën e tij. Tanimë te ekipi i Dajës nuk do të jetë parësore loja e prodhuar, ajo që do të kërkohet është një gol më tepër se kundërshtari, cilado qoftë mënyra sesi arrihet. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *