Roli i portierit në futboll ka evoluar dhe më tepër sesa thjeshtë mbrojtja e kuadratit, gardianët duhet të bëjnë edhe rolin e mbrojtësit në disa raste dhe mesfushorit në të tjera herë, për të organizuar lojën dhe për të shpërndarë topa të gjatë në drejtim të sulmuesëve. Shpeshherë janë ngritur pikëpyetje nëse gardianët e Superiores mund të kthehen në titullarë me Kombëtaren, por për legjendën Jani Kaçi, jemi ende shumë larg.
Në një intervistë për “Sport Magazine” me Altin Sulçen, Kaçi shprehet se aktualisht elita e futbollit shqiptar po vuan për portierët modern dhe gjithashtu ka komentuar Etrit Berishën. “Etrit Berisha? Disa thonin që nuk bëhet portier, por unë e pashë i thashë Armand Dukës që ka për t’u bërë. Në fund, Duka më tha se kisha të drejtë. Kategoria Superiore? Nuk shikoj asnjë prej portierëve që të jenë portierë modern, që të dinë të luajnë me këmbë dhe të zotërojnë ajrin. Unë u sugjeroj që të punojnë më shumë. Dikur Loro Boriçi kishte një shprehje të bukur: “Duhet të dashuroni topin më shumë se dallëndyshet”, tha Kaçi. /Sport Ekspres/