Partizani po zgjënjen nga java në javë dhe durimi sa vjen e po venitet. Humbja në derbi duket se ka bërë që edhe drejtuesit e të kuqve të reagojnë e ti vendosin Dajë një ultimatum. Fation Baze zbulon në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“ se nesër mund të merret një vendim sa i përket të ardhmes së Dajës. Gjithashtu ndan edhe prapaskenat e dhomave të zhveshjes në kampin kryeqytetas, ku sipas tij ka përplasje mes një pjese të lojtarëve dhe Ilir Dajës.
“Pas ndeshjes derbi, drejtuesit e Partizanit i kanë vënë një objektiv trajnerit Daja që në 3 javët e radhës duhen pikët maksimale. Pas disfatës së sotme pozitat e Dajës ndjeshëm janë të rënduara. Është një moment kur besoj nesër do të merret një vendim nëse do të qendrojë apo do të largohet. Por të gjitha rezultatet, loja janë në disfavor të Ilir Dajës për momentin. Ka një përplasje midis trajnerit dhe një pjese të lojtarëve. Ka një përçarje aty. Janë lojtarë që luajnë. Edhe nga stoli rezervë ka disa lojtarë që janë revoltuar. Kërkojnë shansin e tyre dhe i është mohuar deri tani”, ka zbuluar Fation Baze./Halit Delibashi-Sport Ekspres/