Ekskluzive/ “Armando Broja nuk është ende si Haland, mos e digjni me elozhe”! Rraklli befasohet para intervistës: Shqiptarët i harrojnë hallet kështu

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria do të luajë për biletën finale kundër Polonisë në mbrëmjen e nesërme. Kombëtarja që do të fitojë në këtë takim, me siguri që pret edhe biletën e vendit të dytë për ta siguruar atë. Para këtij takimi kaq delikat “Sport Ekspres” ka folur me një nga legjendat e Shqipërisë, Altin Rraklli. E teksa nisi bisedën dhe kërkonte të dinte më tepër rreth gjendjes në vendin tonë, menjëherë nisim t’i tregojmë me entuziazëm sesi po përjetohet kjo prag ndeshje.

“Në fakt e kisha për COVID-in”, shprehet Rraklli. Sigurisht që nuk mund të vononte përgjigja: “COVID? Për çfarë je duke folur? Në Shqipëri ka vetëm një temë diskutimi, si të shkojmë në Botëror, e kemi harruar COVID-in”. Mes të qeshurave Rraklli befasohet disi, por nga ana tjetër kujton edhe kohën kur ka qenë pjesë e Kombëtares: “Në fakt shqiptari i harron hallet e problemet kur flitet për futboll”.

Ndeshja me Hungarinë. Çfarë emocionesh të ka dhënë dhe si e komenton këtë përballje të fituar nga ne?

Patjetër që sa herë fiton Kombëtarja, ne gëzohemi. E para jemi shqiptar dhe pastaj kemi qenë pjesë e saj. Po them për të dy ndeshjet me Hungarinë dhe duke e lidhur me entuziazmin e madh, populli dhe tifozët shqiptarë harrojnë çdo telash tjetër siç u shprehe edhe ti në fillim, është një gjë pozitive. Por duhet të jemi me këmbë në tokë. Kam parë një Hungari që nuk ka lidhje me ekipet pretendente për të hyrë në Botëror. Kemi fituar dy herë me Hungarinë në një ndeshje të balancuar, ku takimin e ndanë episodet. Nga ana taktike ishim më lartë se ato. Përfituam edhe mos prania e tifozëve të tyre. Sido që të vijë puna për vendin e dytë, se Polonia është komplet tjetër nga Hungaria, edhe vendi i tretë është sukses i madh për në, mos ta harrojmë.

Cila është pika më e fortë dhe më e dobët e Shqipërisë së Rejës?

Reja është bërë një kohë të gjatë te Kombëtarja dhe tani është në kulmin e tij. I njeh shumë mirë lojtarët. Në mbrojtje kemi pësuar shumë gola më parë. Në këto dy ndeshje me Hungarinë, pavarësisht se nuk ishte në nivelin e duhur, ishte më stabile. E ka arritur qëllimin për aspektin difensiv, ka më tepër siguri tani.

Me cfarë note e vlerëson trajnerin Reja për punën e tij deri tani, po i merr maksimumin lojtarëve?

I ka marrë maksimumin e mundshëm. Po shoh dhe dëgjoj shumë opinione në kohët e fundit që shprehen se kjo është Shqipëria më e mirë e historisë, se ky është lojtari më i mirë i historisë së Shqipërisë. Nuk i bëjnë mirë as individit dhe as grupit tonë në tërësi.

Po flasim për Armando Brojën në këtë pikë. Por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se ka zgjidhur të dy ndeshjet i vetëm me Hungarinë apo jo?

Shiko, Broja ka shumë cilësi, e shoh. Por është vetëm 20 vjeç dhe nuk po shkëlqen në elitën e Premier League, nuk po realizon dot gol. Ka shënuar dy gola me Hungarinë që nuk është në nivelin më të mirë. Thjesht jam duke thënë se këto elozhe thurren në tjetër kohë. Nëse i shënon Gjermanisë, Anglisë, Hollandës, Spanjës, Kombëtareve të këtyre niveli, atëherë po. Nuk është Haland. I bëjnë dëm dhe do ta dëmtojmë lojtarin. Kështu u tha edhe për Armando Sadikun më para, por ku gjendet tani? Nuk duhet të nxitohemi shumë. Tani Broja është në presion psikologjik nga elozhet se të gjithë njerëzit presin që të shënojë gol me Poloninë, mund të bllokohet.

Po me Myrto Uzunin çfarë ndodh? Shkëlqen me gola te Ferencvaros dhe te Kombëtarja bllokohet para porte…

Nuk është llogjikë e pastër që qëndron gjithmonë kjo, krahasimi klub-Kombëtare. Përshëmbull mua më ndodhte e kundërta që te Kombëtarja shënoja dhe te skuadra jo. Uzuni është punëtor, do lojën e skuadrës dhe nuk i zgjidh dot situatat vetë. Është lojtar me shumë rëndësi për ne, vrapon, lufton, por nuk po tregohet rezultativ para porte.

Cili është mendimi jot për Rei Manaj?

Rei Manaj? Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për skuadrën. Në momentin që bëhesh pjesë e Kombëtares, je te më të mirët. Të gjithë forcën e ka te fiziku Manaj. Nëse nuk është mirë aty, atëherë është më i dobët. Si Broja, kërkon t’i zgjidh gjërat vetë situatat.

Mendon se Elseid Hysaj mund ta bënte mirë rolin në vendin e Gjimshitit?

Ka një llogjikë shumë të thjeshtë, nuk ndërhyjë në punën e trajnerit, e kam parim. Spekulojmë që në fillim, ta zëvendësojmë këtë dhe ta heqim atë. Nuk sjellim asgjë kështu pasi nuk ndryshojmë asgjë në mendimin e Rejës. Është njeriu që i di më mirë gjërat se të gjithë ne se i sheh lojtarët në stërvitje. Është mungesë e madhe Gjimshiti, por shpresojmë se Reja do gjejë zgjidhjen. Nuk më harrohen 15 minutat e fundit Poloni-Angli, nuk e kalojë Anglia zonën e 15 metrave pasi polakët donin golin. Atë fuqi kanë dhe sulm të rrezikshëm.

Në ndeshjet më të rëndësishme në fushë tonë, nuk arrijmë dot të fitojmë. Do e ndryshojmë këtë herë?

Ne shpresojmë që ta ndryshojmë. Një ndeshje ku shpresoj që Shqipëria të jetë në gjendjen më të mirë optimale, të jetë e jashtëzakonshme. Luajmë me Anglinë atje dhe me Andorrën pastaj. Por kjo nuk do të thotë se do të jemi të dorëzuar me Anglinë, futbolli i lejon të gjitha.

Kemi intervistuar edhe një gazetar hungarez që u shpreh se nuk kishin frikë nga tifozët në Air Albania se lojtarët e tyre janë mësuar me 50.000 tifozë në ndeshje javore…

Ka folur kot këtu, është tjetër gjë. Franca ishte kampione bote dhe kur dështoi të fitonte ndaj Hungarisë, ia vunë fajin tifozëve hungarez që ishin aq shumë në mbështetje. Entuziazmi i tifozëve të jep energji. Lojtarët tanë janë rritur me menatitetin jashtë, jo me kokën e nxehtë. Ne që u rritëm aty, ishim me mentalitetin shqiptar. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *