Ekskluzive/ “E njëjta situatë si në 2004 me Greqinë”! Ylli Aga hap librin e kujtimeve: Broja si goli i Van Bastenit, tani qesh me veten…

Nga Klaudio Ndreca

Djema, ju lutem, mos na zgjoni, për çfarëdo lloj arsye! Shqipëria do të luajë në mbrëmjen e nesërme ndaj Polonisë, por sa keq! Ajo që ne do të dëshironim në këtë moment, ndoshta do të ishte një tjetër version. Mjaftueshëm adrenalinë kemi përballuar në ndeshjen me Hungarinë në transfertë që u mbyll më mirë se do të shkruhej edhe nga dora e një shqiptari.

Shqipëria fitoi për herë të dytë me Hungarinë, rriti shpresat për Botëror dhe më e rëndësishmja, shënoi djaloshi ynë që na ka rrëmbyer zemrat, Armando Broja. Ndoshta do të duhej që ta shijonim më gjatë gjithçka ndodhi në Budapest, por tashmë është koha për të përballuar emocione të tjera të forta, që këtë herë do të jenë edhe më fatale.

Para këtij takimi “Sport Ekspres” ka intervistuar Ylli Agën, komentatorin e njohur. Në fakt britma e tij gjatë transmetimit të golit të Armando Brojës ka marrë jehonë të madhe në rrjetet sociale pasi ishte si e çdo shqiptari. E për të qenë të sinqertë deri në fund, më shumë e kemi dëgjuar këtë britmë gjatë transmetimit të videos nga rrjetet sociale, pasi në momentin që Aga nisi të shpërthente dhe “hiqte kollaren” në mikrofon, nga krahu tjetër tifozët ishin çmendur duke mos pasur mundësinë që të dëgjojnë se çfarë vinte prej televizorit. Broja dhe rrjeta që tundet, kaq mjafton, pjesa tjetër, u takon atyre!

Atmosfera para ndeshjes Shqipëri-Poloni. Cilën ndeshje tjetër të kujton nga e shkuara kjo përballje sa i përket entuiziazmit?

Sinqerisht më kishte munguar kjo atmosferë para një ndeshje të ekipit kombëtar. Gjithçka e diktuar nga rezultatet, ecuria, stabiliteti, pozicioni në renditjen e grupit dhe lehtësimi i masave ndaj Covid. Për ngjashmëri mund të kujtoj disa ndeshje, por besoj më e përafërta është ajo kundër Greqisë në shtator 2004. Do të doja të njëjtin rezultat.

Elozhet për Armando Brojën janë mëse të merituara. Por a nuk mendon se mund ta dëmtojnë? Po flasim për një lojtar profesionist, por nga krahu tjetër të gjithë njerëzit presin golin e radhës të Brojës me Poloninë, mund ta bllokojë?

Armando Broja është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Në shumë element më ngjan i përafërt me Erling Haland dhe është fat i madh që e kemi. Në botën e sotme presioni mbi të tillë personazhe është i paevitueshëm, por mënyra se si do ta administrojë ai vetë dhe ata që e rrethojnë këtë presion mund të bëjë diferencën se çfarë do të jetë Broja për veten, klubin dhe Kombëtaren pas 5 apo 10 vitesh.

Për golin? Tani pritshmëritë e të gjithëve për të janë maksimale. Në 360 minuta në total që ka luajtur me Kombëtaren ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 2 asist. Le të urojmë që të jetë në gjendjen optimale sepse sado të jenë minutat ndaj Polonisë do të na ndihmojë në të gjitha mënyrat.

Tifozët. Në stadium do të jenë 22.000, janë të karikuar dhe e prisnin me padurim. Por nga ana tjetër lojtarët polakë luajnë me 50.000 tifozë në çdo javë. Sa mendon se mund të ndikojnë sipas teje?

Për ne e rëndësishme është të shohim pas gati dy vitesh stadiumin të mbushur plot me tifozë, ku gjithsecili do të vijë për të shijuar një ndeshje të madhe dhe të mundohet të ndihmojë skuadrën në fushë në çdo fazë të lojës. Entuziazmi i tyre do të jetë një shtysë e madhe për secilin nga protagonistët e fushës për të provuar të marrim një rezultat historik.

Komentimi juaj në golin e Brojës ka marrë shpërndarje të gjerë në rrjetet sociale. Përveç emocionit të madh që ke përjetuar dhe e kemi dëgjuar, ka pasur lot nga Ylli Aga në ato momente?

Janë disa ndeshje të cilat mbartin një emocion ekstra. Imagjinoni cili është përjetimi kur në fushë është ekipi ynë kombëtar. Shto këtu edhe momentin historik që prekin këto ndeshje, duke qënë se po luftohet për diçka që nuk arritur asnjëherë më parë. Jam i sigurt se një ndjesi e tillë është te çdonjëri prej nesh, çdo shqiptari, kudo ku është, në çdo skaj të botës.

Goli i Brojës më ka emocionuar pafundësisht. Në një moment më kujtoi golin e Van Basten kundër BS në Euro 88, pasi goditja erdhi nga një zonë e errët për shkak të kundërshtarëve që ishin pranë pozicionit të prirët dhe gjuajtjes me një forcë të jashtëzakonshme dhe saktësisë së një snajperisti. Lot? Jo, nuk pata! Festa e të gjithëve në fushë më mbajti në anën e saj. Tani qesh me veten kur kujtoj sesi lotoja se u eliminua Holanda nga Botërori në vitin 1990…

Reja, shumëkush i bëri gati valixhen dhe tanimë janë tërhequr të gjithë. A i ka marr maksimumin këtij grupi?

Reja është një profesionist i madh. Do të mbetet i tillë edhe sikur aventura me kuqezinjtë të mbyllet në këtë moment. Statistikat i ka të gjitha në favorin e tij, ka fituar 50% të ndeshjeve, vendi i parë në Nationals League, rekord pikësh në një fazë kualifikuese, riseleksionim të lojtarëve të cilët mund të shpresojmë edhe në edicionet e tjera. Reja i ka marrë praktikisht maksimumin këtyre lojtarëve.

Gjimshiti ishte humbja më e madhe në fitoren ndaj Hungarisë. Mund të jetë si opsion kalimi i Hysajt në këtë rol apo e përjashton kategorikisht?

Gjimshiti është një lojtar thelbësor për Kombëtaren. Një garanci e madhe në të dyja fazat e lojës. Një lider. Nuk e di cila do të jetë zgjedhja e Rejës për ta zëvendësuar, por cilado qoftë nuk do ta kompensoi mungesën e tij. Hysaj besoj do të ruaj pozicionin e tij.

Kush ka qenë ndeshja që të ka dhënë më shumë emocione në komentim te Shqipëria?

Po çdo ndeshje e Kombëtares është emocion më vete. Po veçoj fitoren me Hungarinë në Elbasan, meqë erdhi në minutat e fundit. Ndërkohë ia uroj vetes dhe çdo shqiptari që ndeshja me Poloninë të jetë një kulm i ri. /Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online