Notat e Kombëtares/ Klaus Gjasula ishte si kukulla e “Squid Game”, “djaloshi i artë” shpëtoi Shqipërinë dhe Myrto Uzunin

Nga Klaudio Ndreca

Etrit Berisha (5): “Nuk ishte e nevojshme që të tregonte veten dhe sa mirë! Personazh negativ ishte në momentin e daljes teksa hedh në tokë dy shokë të ekipit, sigurisht që e paqëllimshme. Fatkeqësisht barelat hyjnë në fushë dhe na marrin Berat Gjimshitin. Për gjithë pjesën tjetër Berisha është aty për të kryer “detyrat e shtëpisë”. Tenton që ta nis edhe njëherë vetë Armando Brojën kur e sheh në fushë dhe ia njeh vlerat. Mund të kthehej për herë të parë në asistues, duke ditur se me një sulmues të këtij kalibri, mjafton që t’i japësh një top të thjeshtë për ta kthyer në gol. Por nisja e shpejtë e Berishës që kapi në befasi rivalët me vendosje përfundoi jashtë për fare pak dhe nuk arriti në këmbët e Brojës që do të sillte rrezik”

Berat Gjimshiti (Pa notë): “Lë fushën në minutën e 30 dhe “i pret krahët” jo vetëm tifozëve, por edhe vetë lojtarëve. Duhej një moment i tillë për të kuptuar vlerën reale të Gjimshitit te Shqipëria. Thjeshtë i pazëvendësueshëm!”

Marash Kumbulla (6.5): “Saktësi kirurgjikale! Kumbulla rikthehet që të tregohet i kalibrit të lartë kundër Hungarisë. Paradoksale, por ky është futbolli. Fajtor kryesor dhe gabime që kushtuan rëndë ndaj Polonisë, kthehet dhe i jep vetes një mundësi të dytë me Hungarinë. Në momentin që Gjimshiti doli nga fusha kishte edhe më shumë peshë mbi shpatulla, i përgjigjet “flakë për flakë”. I mbyll shumë thjeshtë me trup kundërshtarët dhe kupton lëvizjet e tyre. Ishte Marashi që prisnim!”.

Ardian Ismajli (6.5): “Asgjë më pak sesa Marash Kumbulla, e njëjta saktësi e madhe në ndërhyrje. Më veçanërisht në pjesën e parë ka ndalur gjithë hovin e lojtarëve kundërshtarë që kërkonin të futeshin në zonën e Shqipërisë. Kur kishte momente kaotike dhe kërkohej ndërhyrja e një mbrojtësi, Ismajli ishte i pari që zgjidhte situatat. Me siguri që po flasim për lojtarin më të nënvlerësuar te Shqipëria. Ky njeri do të shkojë larg dhe është garanci e kësaj Kombëtare prej kohësh”.

Elseid Hysaj (5.5): “Elsi, është gjithmonë lojtari që dashurohet ose urrehet me paraqitjet te Kombëtarja. Në shumë raste shkodrani ka marrë komente negative jo për shkak të ndeshjeve të dobëta, por pritshmërive të mëdha që janë prej tij. Është një nga të paktit lojtar që ka eksperiencën e Europianit mbi shpatulla dhe duhet të tërheq para këtë Shqipëri. Nuk e ka arritur ende saktësinë e duhur të pasimit, por ka shenja përmirësimi, sidomos kur e kupton se nuk duhet ta teprojë me driblimet”.

Lorenc Trashi (5)- “Paraqitje që nuk lë shumë përshtypje pozitive nga Trashi. Ka cilësi të kufizuara në krahë dhe kjo duket qartë. Në momentet që kërkon të futet në driblim në skajin e krahut, tërhiqet me afrimin e kundërshtarit dhe nuk ka guxim. Topa të humbur dhe disa rrëzime të kota duke aktruar për një faull që në asnjë rast nuk kanë bindur mjaftueshëm kryesorin e takimit që vinte nga super sfida e nivelit PSG-Manchester City. Nëse Trashi zotëron topin, e vetmja gjë që mund të vijë prej tij është krosimi në zonë”.

Klaus Gjasula (6.5): “Ishte si kukulla e frikshme e filmit të momentit, “Squid Game”. Në disa raste Gjasula kishte disa pasime të gabuara më tepër se ndeshjet e tjera, por në momentin që kthente kokën dhe shihte se rivalët ishin në lëkundje dhe pak të pasigurt në kontrollin e topit, i digjte ata nga loja dhe merrte sferën në zotërim. Shumë topa të rikuperuar në këtë mënyrë dhe është i domosdoshëm për Kombëtaren. Vendos rregull në mesfushë dhe i jep një ide më të qartë ekipit për të dalë përpara pasi i është thyer aksioni kundërshtarit. Ishte fare pranë golit, por topi nuk iu bind dhe shkoi ngjitur me shtyllën. Mëkat”.

Keidi Bare (6.5): “Një tjetër futbollist që dallon me lojën e tij. Është motor në mesfushë dhe në pjesën e parë dallohet lehtësisht pasi ka detyra më shumë “sulmuese”, duhet t’i jap më shumë ndihmë frontit të parë. Me hyrjen e Nedim Bajramit, Bare duhet të qëndrojë pak më tepër i tërhequr për të krijuar digën me Gjasulën. Kur niset me topin në zotërim, ka një hap të jashtëzakonshëm që i krijon shpejtësi të madhe aksionit tonë. Vlen të theksohet se ishte lojtari që nxori pasimi për te Armando Broja. Priti shumë dhe rrezikoi me rivalin në atë moment, por e parandieu se duhej t’i shërbente vetëm Brojës që deri në ato momente, nuk po e prekte dot ende topin e parë”.

Sokol Cikalleshi (4.5): Ishte ndeshja më e dobët që kemi parë nga Sokol Cikalleshi në gjithë këto kohët e fundit. Nuk ishte askund në fushë dhe nuk mund të krijojë asgjë. Vrapon, por nuk mund të mjaftojë në një finale të vërtetë. Fundja, nuk jemi në një garë vrapimi, pritej shumë prej tij. Statistikat i kishte të frikshme me Rejën para Hungarisë, 10 gola në 14 ndeshje. Dukej se kishte humbur shumë nga forma e tij brenda vetëm 1 muaj dhe një luhatje e tillë është frikësuese. Le të jetë vetëm një mbrëmje e errët personale e Budapestit, atje ku fatmirësisht Shqipëria arriti që të fitojë”.

Myrto Uzuni (5): “E kemi thënë dhe shpjeguar më parë. Myrto Uzuni e kërkon me ngulm dhe shpirt golin me Kombëtaren. Por është rasti tipik ku nëse e kërkon një gjë me shumë zemër, nuk të vjen kurrë. Po i krijohet edhe një problem psikologjik me Shqipërinë që nuk arrin dot të shënojë gol. Kjo u pa edhe ndaj San Marinos, një rivali modest. Duheshin shumë pasime dhe momenti kur Armando Broja e nxori me portën e boshtisur që të tundte rrjetën. Hyri në fushë dhe ishte njeriu që i njihte më mirë hungarezët për t’i ndëshkuar. Por tre raste të pastra që u humbën prej tij ishin vërtet shumë, Shqipëria nuk e ka këtë luks. Në të parin do të akordohej edhe pozicioni jashtë loje, por nuk ishte kjo arsyeja e gabimit para porte, pasi Uzuni e kuptoi kur kishte përfunduar goditjen. Në situata të tilla nuk të fal te Ferencvaros, te Shqipëria i gabon. Ndoshta presioni i madh, por Myrto duhet të rregullojë shënjestrën pasi ndaj Polonisë duhet arritur perfeksioni pasi ajo që po kërkohet është që të lihet Leëandoëski pa Botëror. Një rast i tillë i shpërdoruar është njësoj si një autogol në portën tënde”.

Armando Broja (7.5): “Njeriu i momentit, ylli i ndeshjes. Mjafton një prekje dhe të dërgon topin në rrjetë. Nuk ka rëndësi pozicioni dhe vendi se ku gjendet, Armando Broja arrin të shënojë nga kënde të pamundura dhe atje ku askush nuk e pret. E ka mundur i vetëm Hungarinë me cilësi individuale, Shqipëria nuk do të mundej që t’i shënonte Hungarisë ndryshe. Dallohet targa e “Premier League” dhe nivelit të futbollit anglez, thjesht i papërmbajtshëm. Është ylli që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë dhe kërkojmë që të arrijmë Botërorin vetëm falë tij. Shpëton edhe Uzunin nga kritikat e pafundme që do të merrte në përfundimin e ndeshjes pasi me një barazim në këtë transfertë, Shqipëria dilte nga loja për vendin e dytë në Botëror. Djaloshi i artë, falë Zotit që i përket Shqipërisë”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *