Shqipëria U-21 do të ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e saj në grupet kualifikuese të Europianit. Pas humbjes me shifrat 4-0 me Cekinë për shkakun e dy gabimeve të portierit Alia që mbyllën ndeshjen pa u nisur mirë dhe me mungesat e shumta, kuqezinjtë e vegjël do të rikthehen në fushë kundër Andorrës në ditën e nesërme. Në konferencën për shtyp Bushi ka treguar seriozitetin për këtë takim dhe njëkohësisht ka folur për lojtarët që “nevrikosen” me Kombëtaren.
“Me Andorrën kemi luajtur tre ndeshje në një vit e gjysmë, dy i kemi fituar dhe një barazim. Ne i marrim maksimumin çdo ndeshje dhe i marrim gjithmonë seriozisht. Mezi po e presim takimin me Andorrën si të ishim duke luajtur ndaj Gjermanisë, si për të treguar se nuk jemi ne ata që humbëm me Cekinë. Por thjesht ishte një humbje rastësore dhe ekipi duhet të reagoj. Andorra është modeste, por edhe ne jemi modest. Shpirtin e garës dhe luftën duhet ta kemi të madhe, nëse na humb kjo, atëherë është problem serioz.
Por këtë herë nuk do të na mungojë. Nuk do të kemi asnjë problem për ta zëvendësuar Cepelen dhe Ismajlgecin. Në ekipin kombëtar janë rreth 25 lojtarë që vijnë nga Shpresat në këto 4 vitet e fundit. Kjo falë punës të mirë të FSHF. Ka lojtarë inteligjent dhe jo inteligjent. Kur thirresh nga Kombëtarja nuk është e rëndësishme që të luash patjetër. Ty të ka ardhur ftesa dhe përfaqëson 20 më të mirë të Shqipërisë, që jemi 4 milionë shqiptarë. Duhet të marrësh aspektin pozitiv. Ka nga ata që e kuptojnë dhe ata që nuk e kuptojnë. Ata që nuk e kuptojnë, atëherë nuk e kanë shumë rrugën e gjatë te Shqipëria”, tha Bushi. /Sport Ekspres/