Idi Batha është detyruar të lërë ndeshjen e sotme në momentet e fundit të pjesës së parë. Një hapje e krahëve në përpjekje për të mbrojtur topin i kushton ish-kapitenit të Tiranës kartonin e kuq. UTA Arad mbetet me 10 lojtarë për 45 minuta, por në fund arrin të barazojë kundër Dinamos së Bukureshtit. Në intervistën e dhënë për mediat rumune pas ndeshjes, Batha shprehet se nuk e meritonte ndëshkimin me karton të kuq. Mesfushori shqiptar thekson se kjo është mënyra se si ai luan gjithnjë, pasi është një lojtar agresiv. Por në ndryshim nga Shqipëria, në Rumani arbitrat duket të jenë më dorëlëshuar me kartonët.
“Për të qenë i sinqertë, nuk e pashë videon pas ndeshjes, për të qenë në gjendje të them nëse e meritoja apo jo. Nuk mendoj se e meritoj sepse gjithmonë luaj kështu dhe kurrë nuk kam marrë të kuq për diçka të tillë, sepse topi është nën kontrollin tim total. Unë nuk e godita, thjesht hapa krahët për të mbrojtur topin. E preka, por nuk e godita. (Arbitri) Nuk më tha asgjë, më tregoi vetëm të kuqin.
Për të qenë i sinqertë, unë jam pak agresiv, por gjyqtarët në Rumani kanë tendencë të tregojnë shumë kartonë të verdhë ose të kuq. Unë dua të kërkoj falje që (shokët e skuadrës) janë ndjerë kështu, por ata luajtën një lojë të mirë dhe barazuan. Është një rezultat i mirë pas 2-0”, ka deklaruar Idriz Batha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/