Edmond Ruço ka komentuar paraqitjet e ekipeve pretendente të Abissnet Superiores në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë. Humbja e Dinamos nuk përbëri asnjë surprizë për të. I ftuar në një intervistë në emisionin “Sport Magazine” në “Ora News” të moderuar nga Drilon Xhepollari, trajneri shqiptar e sheh problemin e bluve të kryeqytetit te përgatitja fiziko-atletike. Sa i përket humbjes së Vllaznisë, për Ruçon erdhi vetëm si rrjedhojë e një ndenje mendjemadhësie nga ekipi shkodran.
“Sa i përket ekipeve të Superiores, ekipe si Tirana, Teuta, Partizani bënë detyrën dhe e kaluan me sukses 90 minutëshin e parë. Nuk do surprizohesha për Dinamon. E them këtë sepse ngaqë e kam ndjekur me vëmendje si skuadër, pavarësisht se ka rezultate pozitive deri tani në Superiore, nuk është e aftë të përballojë 90 minutëshin e lojë. 45 minutat e para i bën shumë të mira, 45 minutat e dyta bien nga ana e përgatitjes fiziko-atletike. Si shtrirje taktike në fushë trajneri Shkëmbi i ka të mirëvvendosur, por nga ana fiziko-atletike lënë për të dëshiruar. Ndoshta mund të jetë edhe anë psikologjike. Ndoshta janë ndeshjet e para që luajnë në Superiore dhe nuk e ndjejnë atë peshën e rezultatit apo të fanellës që përfaqësojnë, pavarësisht se vijnë nga një kategori inferiore. Do të thoja që për mua ky raund i parë nuk përbën surprizë te Dinamo. Por them që do ta kalojnë me sukses ndeshjen e kthimit.
Te Vllaznia mendoj që është një ndjenjë mendjemadhësie. Me sa po shikoja edhe formacionet që ka hedhur trajneri në fushë, janë lojtarë që pavarësisht se nuk i kanë 90 minutat, janë lojtarë titullarë që në çdo ekip të Superiores do bënin shumë mirë. Vllaznia si duket nga neglizhenca e pësoi. Por them që në raundin e dytë do jetë superiore dhe do triumfojë. ”, ka deklaruar Edmond Ruço./Halit Delibashi-Sport Ekspres/