Historia e veçantë/ Dy vëllezërit që luajnë te Kukësi, rrëfimi ndryshe: Ne na ngatërroi edhe vetë klubi…

Nëse më parë jemi mësuar që të shohim dy vëllezër që luajnë bashkë ose kundër njëri-tjetrit në Kombëtare, Gjelbrim Taipi dhe Shqipërim Taipi i kanë provuar të dy eksperiencat. Më herët këta futbollistë janë ndeshur kundër njëri-tjetrit, por Kukësi i dha mundësinë që të jenë së bashku për një qëllim, dërgimin në objektiva të verilindorëve. Në një intervistë për “Sport Magazine” e moderuar nga Drilon Xhepollari, vëllezërit e Kukësit kanë dhënë një intervistë ndryshe. Fillimisht ishte Gjelbrim Taipi që foli duke treguar emocionet e para.

“Është një sezon pak i ndryshëm nga viti i kaluar, por ambiciet janë po të njëjtat. Kukësi ka qenë prej 10 vitesh në kompeticionet europiane dhe synon po prapë të jetë atje. Tani e kemi nisur mbarë duke fituar. Shqipërimi? Kur luanim kundër njëri-tjetrit, ishte emocion që nuk e kam provuar ndonjëherë. Ishte e vështirë. Ishin ato emocionet tona dhe tani është më e veçantë pasi jemi të dy së bashku. Po mundohemi që ta ndihmojmë njëri-tjetrin në maksimum. Superiorja është bërë shumë e fortë, lojtarët janë shpërndarë gjithandej. Ka ardhur edhe Dinamo në këtë sezon”, u shpreh në analizën e tij Gjelbërim Taipi.

Nga ana tjetër Shqipërimi ka thënë: “Dëshira ime ishte e madhe për të ardhur te Kukësi. Kukësi mund të dërgojë në Europë, Skënderbeu jo! Dëshiroj që të ndihmoj ekipin dhe të arrijmë larg. Vëllain e kam kapiten, kisha miqësi me disa futbollistë të Kukësit më herët dhe më kanë pritur mirë”. Të pyetur në lidhje me ngatërresat që mund t’i kenë ardhur nga gazetarët dhe komentatorët sportiv, Shqipërimi ndërhyn duke thënë se po vijnë nga vetë klubi: “Ishte vetë faqja zyrtare e Kukësit në Instagram që na ka ngatërruar numrin e fanellave që mbajmë ne”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *