“Fola me Bajramin, e di çfarë të pres”, Ismajli flet fjalët e para si lojtar i Empolit: Trajneri është perfekt për mua

Ardian Ismajli është lojtari më i ri i skuadrës së Empolit, që është pjesë e kampionatit elitar në Itali, Seria A. Menjëherë pas debutimit të tij në Kupë ndaj Vinçencës, mbrojtësi shqiptar ka dhënë një konferencë për shtyp, ku ka dhënë mendimin e tij mbi skuadrën më të re.

“I falënderoj të gjithë. Empoli tregoi interes për mua. Jam shumë i lumtur të jem këtu. Gjithashtu bëra debutimin tim me këtë fanellë. Jam i gëzuar, në pjesën e parë mund të kishim shënuar 5 ose 6 gola. Ndërsa në të dytën e lëshuam pak ritmin, por arritëm të fitonim. Tek Spezia kam luajtur me sistemin me 4, ndërsa në Kombëtare me 5. Megjithatë do të preferoja të luaja në skemën me 4 mbrojtësa.”- e nisi fjalimin Ismajli.

Gazetari gjithashtu e pyeti se nëse ka patur ndonjë komunikim me pjesëtarët e skuadrës. “Kam folur me Bajramin në Kombëtaren tonë, e di se çfarë të pres dhe çfarë kampionati më rezervon mua. Do të jetë e vështirë. Në Spezia u ndjeva mirë, mendoj se bëmë gjëra të mira. Punoj shumë si brenda dhe jashtë fushave, pasi kjo është çelësi i suksesit. Jam shumë i lumtur që jam në Seria A. E kam ndjekur gjithmonë dhe është perfekt për një mbrojtës pasi ka shumë për të mësuar.”- u përgjgj Ismajli.

Ardian Ismajli foli dhe për marrëdhënien me trajnerin e ri, Andreazzoli si dhe për objektivin e skuadrës për sezonin 2021-2022. “Për trajnerin të gjithë më kanë folur shumë mirë. Është një trajner që menaxhon mirë dhe për të rinjtë si mua është perfekt për të marë eksperiencën e duhur. Objektivi jonë është të qëndrojmë në Seria A vitin e ardhshëm. Ndërsa detyra ime është të jap 100% për skuadrën time.”- mbylli intervistën mbrojtësi shqiptar./Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *