Nga Klaudio Ndreca
Laçi po vazhdon që të bëjë goditje mbresëlënëse në merkato për të marrë futbollistë të panjohur për futbollin shqiptar dhe për t’i kthyer në emrat më të lakuar në Superiore. Këtë herë duket se jehona më e madhe do të vijë për Marko Roganovic. Shumë është folur rreth Zarubica për teknikën e tij impresionuese dhe për më tepër se ishte autori i vetëm i golit që i dha kualifikimin Laçit ndaj Craiovas.
Por le të kthehemi pak te afrimi tjetër i verës, Roganovic. Futbollisti 25-vjeçar erdhi nga Titogradi që doli në vendin e fundit të elitës së futbollit në Malin e Zi. Pra në pamje të parë nuk ishin pritshmëritë më të larta rreth lojtarit malazez, por fusha e lojës ka treguar të kundërtën. Në këto ndeshje që është aktivizuar me Laçin, Roganovic ka treguar jo vetëm saktësinë e tij në prapavijë, por edhe faktin se i përket stilit modern të futbollit.
Lojtari shihet shpeshherë duke ndihmuar sulmin dhe ka gjithë potencialin për ta bërë një gjë të tillë. Për më tepër që mund të luajë thuajse në të gjitha pozicionet në mbrojtje pasi më parë është improvizuar edhe në qendër të saj, pa përmendur krahët. Në ndeshjen e mbrëmshme kundër Anderlehtit, Roganovic tregoi edhe njëherë tjetër klasin.
Për ta nisur nga goli i parë që u pësua nga Laçi. Pas kombinimeve të bukura të lojtarëve të Anderleht, Roganovic vjen me “gërshërën impresionuese” dhe të rrezikshme në zonë, si lojtari i fundit i Laçit. Gjithçka shkoi në perfeksion për mundësinë e heqjes së golit ndaj futbollistit që kishte pranë, por në këtë moment ishte i pafat pasi topi përfundoi me devijim në këmbët e Amuzu dhe nuk mund të shijojë ndërhyrjen fantastike që kreu.
Ndërkohë në minutën e 51 kur Rahan humbet një mundësi të pastër shënimi, Roganovic shihet sesi niset mbrapa dhe lë pas me shpejtësinë e frikshme Ait El Hadj. Ky i fundit mund të dilte me portën e boshatisur nëse përfundonte i pari para Sherrit me shërbimin e Rahan. Për këtë arsye Roganovic ka dhënë gjithçka me sprintin e tij për ta lënë mbrapa.
Thuajse e njëjta panoramë u shfaq edhe në golin e dytë të Anderlehtit, por këtë herë me më shumë energji të shpenzuara. Teksa Roganovic ishte nisur për t’iu afruar më shumë zonës së rivalit belg, vjen një humbje e papritur e kontrollit të topit. Mbrojtësi malazez ishte i fundit në nisje nga mbrojtësit e Laçit, por rezultoi si i pari në momentin kur Verscharen dërgoi topin në rrjetë. Megjithëse pa sukses për evitimin e golit dhe me pak energji të shteruara për të përsëritur sprintin e frikshëm të minutës së 51, por sërish hapi i afrimit të ri të Laçit është për t’u përgëzuar.
E për ta përmbyllur me golin e vetëm që u shënua nga kurbinasit ndaj Anderlehtit. Një meritë e madhe shkon padyshim edhe për Roganovic që me lëvizjet e tij vjen si dëshmi për të treguar se mund të ndihmojë edhe fazën sulmuese me lojë kualitative. Pas një krosimi të dështuar, mbrojtësi i Laçit vjen me një përkëdhelje të ëmbël të topit dhe ulje të bukur që me siguri do ta kishin zili edhe shumë sulmues në Superiore. E menjëhershme vjen edhe një finte që surprizon lojtarin kundërshtar për të mbërritur menjëherë te Zarubica, me këtë të fundit që i dha pasimin e fundit Lushkjas. Padyshim që mund të themi se Laçi ka bërë “bingo” me këtë afrim. /Sport Ekspres/