Asambleja e Përgjithshme e FSHF, flet Armand Duka: I qëndruam pranë çdo shqiptari pas tërmetit, u rindërtuan katër banesat

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së 2021 u mblodh sot përmes video-konferencës në platformën online Microsoft-Teams. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj.

Kjo asamble u përshëndet edhe nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe Zv.Presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson. Mbledhja vijoi me fjalën përshëndetëse të Presidenti Duka, i cili renditi të gjitha aktivititetet e organizuara nga FSHF gjatë këtij viti, duke u ndalur në disa nga zhvillimet kyçe dhe iniciativat e ndërmarra në këtë periudhë, me fokus futbollin e femrave dhe atë të fëmijëve, që janë e ardhmja e një zhvillimi të qëndrueshëm tonin.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së theksoi se solidariteti është nder vlerat fondamentale të futbollit, dhe ne e kemi shprehur në mënyrën më të natyrshme kurdo që nevoja ka qenë, ndaj kujtdo. “Kemi qëndruar pranë çdo shqiptari të prekur nga tërmeti famëkeq i nëntorit 2019 dhe duke nisur nga çdo anëtar i administratës së FSHF-së, ekipi ynë kombëtar, lojtarë e staf teknik dhe federata simotra kane kontribuar për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e katër banesave të rrënuara nga ky tërmet. Jemi të lumtur që i kemi rikthyer në një strehë të sigurt këto familje, dhe do vijojmë t’i përgjigjemi kauzave sa herë ndihma do jetë e nevojshme”, – tha Presidenti Duka.

Sipas Rendit të ditës vazhdoi me raportin e aktivitetit te FSHF për vitin 2020, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku, paraqiti raportin financiar për vitin 2020, që përfshin pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe bilancin për vitin 2020. Ky raport u hodh në votim dhe u miratua nga anëtarët e Asamblesë. Në votim u kaluan edhe raporti i kompanisë audituese të pavarur “Grant Thorton” si edhe buxheti për vitin 2021, që u miratuan me konsensus.

Në pjesën e fundit u diskutua për zgjedhjen e anëtarëve te Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes se Konflikteve. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Enkelejd Alibeaj duke marrë fjalën tha se në përputhje me parashikimet e Nenit 69 të Statutit të FSHF, Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve përbëhet nga kryetari, dy nënkryetarë dhe dymbëdhjetë anëtarë të tjerë. Pesë anëtarë propozohen nga KE, pesë nga përfaqësuesit e klubeve dhe pesë nga përfaqësuesit e lojtarëve dhe trajnerëve.

Aktualisht DHKZK ka vetëm 10 anëtare prej të cilëve, për shkak të ezaurimit të dy mandateve 4-vjeçare, 6 nga anëtarët aktual nuk mund të rikandidojnë më për një mandat të tretë. Bazuar në propozimet e paraqitura kandidatët e propozuar u votuan me 51 vota nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

Në mbyllje të punimeve, Presidenti Duka shprehu besimin se “kjo do të jetë Asambleja e fundit dixhitale dhe se shumë shpejt do të mblidhemi ne prani te njeri tjetrit. Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe i deklaroj punimet e kësaj asambleje të mbyllura”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *