Nga Endri Çinari
E hënë, 7 qershor 2021. Futbolli shqiptar ka mbyllur një tjetër sezon sportiv ditën e djeshme duke dhënë verdiktet e fundit. E çfarë verdiktesh të “çmendura” që ishin. Dita e djeshme shënoi një tjetër precedent të zi në futbollin shqiptar. Flamurtari i Vlorës u rrëzua në Kategorinë e Dytë (e treta për nga rëndësia në futbollin tonë. Një tragjedi me plot kuptimin e fjalës. Një nga ekipet me legjendare të vendit degdiset në kategoritë e ulëta.
Por si ka mundësi që një ikonë të prekë fundin në këtë farë mënyre? Patjetër përgjigjia e të gjithëve menaxhimi që i është bërë këto vite nga drejtuesit vlonjatë. Por nuk dua të ndalem në emra konkretë e të gjej fajtorë, por dua të ndalem tek shuarja e ikonave në futbollin tonë. Në Kategorinë e Dytë sezonin tjetër do kemi edhe Elbasanin, Akademinë Luftëtari sepse sot nuk na lejohet të themi më Luftëtari i Gjirokastrës e po ashtu Flamurtarin. Uhhh çfarë luksi do ketë kjo kategori sezonin tjetër.
Po si përfunduan këto emblema këtu? Ku janë Sefedin Braho, Hito Hitaj, Lefter Millo, Altin Haxhi e shumë e shumë të tjerë që ka nxjerrë qyteti i gurtë? Ku është Luftëtari i para pak sezoneve? Ku është Elbasani kampion, që dominonte kë i dilte para në vitet 2004-2006? Po ku janë vlonjatët? Ata që treguan gjoksin me Kushtën mes Beogradit apo që tronditën Barcelonën me Rucin? Ku është ai ekip legjendar që së bashku me Vllazninë rivalizonte ekipet e kryeqytetit?
E sot i kemi atje, në kategoritë e ulëta. Me gjithë respektin për Laçin, Kastriotin, Kukësin apo Egnatian që sezonin e ardhshëm do jenë në Superligë. Nuk e kanë kurrë stofin e klasin e ekipeve të sipërpërmendura. E duhet ndoshta të gëzohemi disi se është rikthyer Dinamo. Po prapë në Kategorinë e Parë kemi Besën e Kavajës, Tomorin e Beratit apo edhe Lushnjen. Sërish ekipe me tradita të mëdha.
Superligës i duhet emblemat, por sigurisht jo me favore. Por me projekte, me ndihma financiare e me njerëz të përzgjedhur për të drejtuar si duhet. Sepse për ndryshe pas 3 vjetësh me interesant do jetë të shikosh Kategorinë e Dytë se sa Superliga. E në këtë mënyrë futbolli shqiptar do humbasë kuptimin e do “vdesë” në njëfarë mënyre, prandaj i duhet rikthimi i “peshave të rënda”. /Sport Ekspres/