Një tjetër trajner shqiptar ka arritur objektivin e tij jashtë Shqipërisë, por këtë herë duhet të shkojmë larg vendit tonë dhe nuk bëhet fjalë për shtetet fqinje. Ergys Luka ka arritur objektivin e tij në Ligën Nacionale të Kinës që u zhvillua në Dingnan, provinca e Jianxi.
Kjo është një qytezë e vogël nga ku Qeveria Kineze ka ndërtuar 10 fusha në kompleksin gjigand për turneun nacional kombëtar. Në këtë turne ka marrë pjesë edhe Guangzhu U-19 që drejtohet nga Ergys Luga. Objektivi i vendosur për të ishte qëndrimi në elitën e turneut, që ka një format të ngjashëm me Ligën e Kombeve. Trajneri shqiptar ia ka dalë më së miri për të realizuar detyrat e caktuara pavarësisht shumë problematikave që ka hasur dhe që na i shpjegon në prononcimin për “Sport Ekspres”:
Rëndësi ka që qëndruam në elitë për vetë mënyrën sesi rrodhën ngjarjet. Klubi ndryshoi objektivin në fund pasi lojtarët kryesor u grumbulluan në Kombëtare dhe portieri i dytë na u dëmtua. Kemi përshtat mesfushorin si portier, ndërsa këtë detyrë e kishte bërë në rininë e hershme. Jam i kënaqur dhe i mërzitur sepse organika që kishim na lejonte të pretendonim për 4-shen më të mirë. Na u desh që të ndërronim taktikat gjatë kohës që po udhëtonim me autobuz.
E dinim shumë mirë që do hasnim probleme nga rivalët pasi kur nuk ke një portier, mund ta pësosh lehtë golin nga distanca. Ndonjëherë fati nuk është me më të mirin, por me kaq shumë probleme, jam i kënaqur. Do vazhdoj edhe sezonin tjetër këtu dhe objektivin e kemi të qartë që të shpallemi kampion si e ka traditën edhe kjo shkollë futbolli”, u shpreh Luga. /Sport Ekspres/