VIDEO/ Intervista që tregon se përse Zhegrova nuk arrin majat: Nuk ka lojtar më të mirë se mua! Do luaj te Barcelona, tradhtoj në jetë

Edon Zhegrova! Futbollist apo pjesë e “Showbizit”? Duke parë “Instagramin”, veshjet dhe mënyrën e jetesës së tij është gjithmonë e vështirë për ta përcaktuar qartë se kujt i përket 22-vjeçari. Askush nuk ka dyshime se flitet për një prej lojtarëve shqiptarë që është nga më të talentuarit. Por talenti nuk shërben për asgjë nëse nuk i bashkangjitet puna e përulur. E kjo e fundit ka lënë shumë për të dëshiruar nga Zhegrova.

Mendësia e tij shihet edhe te intervista e fundit për “ATV” ku dëshmohet qartë se cili është faktori që e bënë këtë lojtar të mos arrij majat në karrierë. “Asnjëherë i tradhtuar në jetë dhe gjithmonë duke tradhtuar. Single, por asnjëherë vetëm. Asnjë lojtar më i mirë se vetë Edon Zhegrova”, janë pak nga mesazhet e përmbledhura që të bënë të dyshosh edhe më tepër për ngritjen në karrierë të këtij lojtari që në të njëjtën kohë harron se duhet të jetë shembull edhe për edukimin e brezit të ri të talenteve.

“Nuk jam ndalur kurrë deri sa arrita qëllimin tim për të mbërritur deri këtu jam. Familja më ka përkrahur shumë për të mbërritur deri këtu, do t’i jem gjithmonë falënderues. Babi dhe mami më kanë përkrahuar më shumë, por nuk e harroj edhe gjyshin që më ka rregjistruar për herë të parë në futboll. Kur futem në fushë mendoj dhe për të që më sheh nga lart. Si nisi karriera? Ishte një ndeshje në Prishtinë dhe atje ishin disa skaut nga Belgjika. Në atë ndeshje kam shënuar pesë gola. Arrita që t’i bind ata për të marrë mua me gjithë familjen në Belgjikë.

Për momentin jam te Bazeli dhe shumë i lumtur. Në sezonin tjetër pres që të jem edhe më mirë, për të kaluar në një klub më të madh. Komentet pozitive i mirëpres, negativet nuk më bëjnë përshtypje. Sa më shumë komente negative që më bëni, aq më i fortë bëhem. Qëllimi im është që të luaj te Barcelona dhe nuk ndalem kurrë derisa të mbërrij atje. Cili lojtar është më i mirë se mua? Asnjë, asnjë hiç. Jam single, por kurrë nuk jam vetëm. Kam tradhtuar dhe asnjëherë nuk më ka tradhtuar askush. E kam bërë, por pa qëllim”, tha Zhegrova. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *